Tritan Shehu kërkon lirimin nga burgu të kultivuesve të kanabisit, PD braktis deputetin e Gjirokastrës

Grupi Parlamentar demokrat e ka cilësuar thjesht si një qëndrim personal propozimin e deputetit Tritan Shehu, sipas të cilit punëtorët e kanabisit duhet të amnistohen, ndërsa para përgjegjësisë duhet të vendosen ata që lejuan këtë situatë dhe bosat e lëndëve narkotike.

Mësohet se propozimi i bërë në rrjetet sociale nga Shehu nuk ka gjetur mbështetjen e deputetëve të PD dhe aleatëve të saj, madje kreu republikan, Fatmir Mediu, e ka cilësuar të papranueshëm propozimin.

Burimet nga PD bëjnë të ditur se edhe në rast se propozimi i Shehut do të jetë përtej deklaratave publike ai nuk do të ketë mbështetjen e grupit parlamentar demokrat për të marrë formën e një nisme ligjore.

Propozimi i Shehut është konsideruar si personal edhe nga kreu demokrat Lulzim Basha, gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura me deputetët demokratë.