Tritan Shehu ‘mbaron’ takimet në Gjirokastër, tani jep leksione për politikën e jashtme… (VIDEO)

Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD-së në qarkun Gjirokastër, Tritan Shehu, nuk e fsheh dot pasionin e tij për politikën e jashtme dhe as entuziazmin nga takimi i Lulzim Bashës me presidentin Donald Trump.

Një ditë më parë ai ka dalë para mediave në Gjirokastër dhe ka folur gjerë e gjatë për politikën e jashtme të Shqipërisë, a thua kjo është gjëja më e rëndësishme që u intereson banorëve të Gjirokastrës të dëgjojnë nga kandidati i PD-së. E gjithë fjala e tij i ngjante një monologu me veten dhe nuk është se tha diçka të re. Ja për shembull:

“Shqipëria gjykon se kufijtë e rajonit duhet të jenë të pandryshueshëm. Kufijtë e rajonit do të zhduken gradualisht për t’u unifikuar  në integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Për ne janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet me partnerin gjeostrategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Tritan Shehu, a thua se dyshon njeri për këto. A thua se këtu po bëhet nami me politikanë që kërkojnë ndryshim kufijsh, prishje të marrëdhënieve me Greqinë, Italinë apo Amerikën.

Analizat apo leksionet e Tritan Shehut për politikë të jashtme nga Gjirokastra në kulmin e fushatës elektorale, e bëjnë më qesharake fushatën e tij dhe të PD-së në Gjirokastër.

Dhe ky nuk është rasti i parë. Para disa ditësh, Tritan Shehu ishte në Labovën e Kryqit ku u fliste fshatarëve për “politikën e jashtme komplekse të Shqipërisë”, si dhe shante Ramën që sipas tij ka prishur marrëdhëniet me Greqinë.

Politika e jashtme e Shqipërisë, qasjet diplomatike dhe konjukturat rajonale, janë gjëja e fundit që presin banorët të dëgjojnë prej Tritan Shehut apo kandidatëve të tjerë të PD-së.

Vallë kanë mbaruar takimet në terren me njerëzit, për t’i bindur pse duhet të votojnë PD-në, sa që tani ka mbetur puna vetëm te analiza e politikës së jashtme prej Tritan Shehut. Në fakt edhe mënyra se si po zhvillohet fushata, konfirmon atë që është thënë prej fillimit se Tritan Shehu është një ndër kandidaturat më të dobëta të PD-së në këto zgjedhje.

Kush ka interes për të dëgjuar çfarë ka thënë Shehu, shihni videon më poshtë në minutin 8:49.

/ArgjiroLajm.net/