Turizmi në Gjirokastër, tranzit nga Korfuzi. Historia e çiftit nga Austria (VIDEO)

Eva dhe Gauthier nga Austria mbërritën në Shqipëri pak ditë më parë dhe sapo shkelën në Gjirokastër vendosën të kalojnë të paktën dy ditë në qytet. “Sapo i hodhëm një sy qytetit dhe mendojmë të qëndrojmë të paktën dy ditë këtu. Duket bukur, njërzit janë miqësorë, ka shumë monumente dhe ushqim shumë të mirë. Çmimet janë shumë të ulëta krahasuar me Austrinë, kështu që po na pëlqen”, shprehet Eva.

Ndërsa Gauthier thotë: “Nuk kisha asnjë pritshmëri kur zgjodhëm të vizitojmë Shqipërinë. Thamë shkojmë dhe të dalë ku të dalë, është më mirë kështu. Por, gjetëm një vend ku mund të kalohet shumë mirë”.

Në masën 80% vizitorët në Gjirokastër janë pjesë e tureve që nisen nga Korfuzi në mëngjes, vizitojnë qytetin dhe kthehen në mbrëmje sërish në Korfuz.

“Nuk ka ndonjë interes të madh për Gjirokastrën. Njerëzit shikojnë kalanë dhe ikin”, thonë banorët.

Agjensitë turistike tregojnë se vetëm gjysma e atyre që e vizitojnë qytetin mund të shpenzojnë më shumë se 5 euro për vizitë. Investimet në bujtina dhe hotele familjarë e kanë rritur numrin zyrtar të shtretërve për akomodim në rreth 620 të tillë, ndërsa gati 300 shtretër të tjerë ofrohen nga hostele familjarë.

Vitin e kaluar, më shumë se 42 mijë vizitorë kanë kaluar të paktën një natë në Gjirokastër, ndërsa këtë vit synimi është rritja e kohëqëndrimit, që është e vetmja mundësi për të rritur të ardhurat për qytetin.