TV GJ dhe Alpo TV, si u pasqyrua lajmi për arrestimin e Kserës (VIDEO)

alpo tvgjArrestimi ish-ministrit të Punës, Spiro Ksera ishte lajmi më i rëndësishëm këtë fundjavë. I rëndësishëm në nivel kombëtar pasi është hera e parë që një ish-ministër vendoset në pranga për korrupsion. Por ishte ngjarje me rëndësi edhe në nivel lokal.

Konkretisht në Gjirokastër ku Ksera ka qenë për 4 vite prefekt i qarkut dhe më pas u votua si deputet i Partisë Demokratike. Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale ishte koordinator i PD-së për fushatën në Bashkinë e Dropullit. Në këtë kuptim është interesante të analizohet paraqitja që i kanë bërë këtij lajmi mediat lokale në Gjirokastër.

Dy mediat lokale më të ndjekura, Alpo Televizion dhe Televizioni Publik Gjirokastra, kanë qenë totalisht të ndryshme në raportimin e kësaj ngjarje. Alpo Televizion e kishte arrestimin e Spiro Kserës si lajm të parë dhe i kushtoi një hapësirë prej rreth 4 minuta. Në kronikë jepej i gjithë informacioni për dosjen e Prokurorisë së Tiranës me akuzat ndaj ish-ministrit dhe vartësve të tij.

Ndërkohë Televizioni Publik Gjirokastra e “fshehu” lajmin në vetëm 30 sekondat e fundit të edicionit informativ të ditës së djeshme. Normalisht që për shkak të vizitës së kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta dje në Gjirokastër, arrestimi i Kserës nuk mund të ishte lajm i parë sepse kjo hapësirë do i dedikohej aktivitetit të krerëve të mazhorancës në shtëpinë e Ismail Kadaresë.

Por edhe që të ishte lajm i fundit në vetëm 30 sekonda, si ato njoftimet për mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, kjo nuk mund të mendohej. Për TVGJ lajm më i rëndësishëm ishte aktivi i LSI-së apo pritje-përcjelljet e ambasadorit të ri italian, të cilin s’e njohin akoma në Tiranë sepse 10 ditë ka që ka mbërritur në Shqipëri, jo më ta njohin në Gjirokastër.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është për të vlerësuar profesionalizmin e kolegëve të Televizionit Gjirokastra, por për të vënë në dukje nevojën e reformimit të medias publike në vend, për të cilën ne të gjithë bashkë paguajmë 100 lekë muaj për muaj, por cilësia e informacionit dhe programacionit që na ofrohet lë shumë për të dëshiruar. Shihni më poshtë edicionin e lajmeve të Televizionit Gjirokastra dhe Televizionit Alpo, për të parë pasqyrimin e lajmit të arrestimit të ish-ministrit Spiro Ksera.