U përfshi në fushatë, Ministria e Arsimit çon në Prokurori Lindita Rovën

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit ka paditur sot në Prokurori Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Gjirokastër, Lindita Rova.

Në një njoftim për mediat, MAS bën të ditur se Rova ka marrë pjesë në fushatën elektorale të PS dhe kandidatëve të kësaj force politike në Gjirokastër. Ndaj drejtoreshës Ministria ka përgatitur një dosje voluminoze që flet për abuzime në ushtrimin e detyrës dhe përdorimin e trupës pedagogjike të Gjirokastrës për fushatë të kandidatëve socialistë.

Njoftimi i Ministrisë:

Në vijim të monitorimeve në të gjithë vendin pranë drejtorive rajonale arsimore dhe zyrave arsimore si dhe në institucionet e tjera të varësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, mbi bazën e raportimeve të Grupeve të Inspektimit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është kryer përcjellja e informacioneve të verifikuara në terren pranë organit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Gjirokastër, znj. Lindita Rova.

Kjo masë merret mbi dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes së znj. Rovanë fushatë zgjedhore në kundërshtim me ligjin, duke organizuar aktiviteteve me pjesëmarrje masive të mësuesve nga shkollat në varësi të kësaj drejtorie arsimore.

Znj. Rova gjatë inspektimeve dhe konstatimeve të Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit ka rezultuar me shkelje në transparencën e financimit të këtyre aktiviteteve festive masive gjatë fushatës elektorale dhe jashtë kalendarit të aktiviteteve të DAR Gjirokastër. Për më tepër, këto takime festive janë zhvilluar në prani të kandidatëve të një subjekti politik.