Udhëtimi i dy kolumbianëve të kokainës nga Athina në Gjirokastër

maxresdefaultDy shtetasit kolumbianë të arrestuar në laboratorin e drogës kanë pretenduar se në Bogota janë njohur me një shtetas me emrin Karlos. Ata thanë se Karlos ishte kolumbian, por kishte shtetësi holandeze. Ai u ka premtuar atyre se mund t’u gjente punë në Greqi. “Kimistët” kanë rrëfyer se kanë udhëtuar me linja ajrore nga Bogota në Lisbonë, Portugali, më pas drejt Romës, Itali dhe në përfundim në Athinë, Greqi. Nga Athina ata kanë udhëtuar drejt Gjirokastrës, përmes një autobusi linje.

“Karlos na tha se do të punonim në Shqipëri, në një laborator droge dhe se do të paguheshim për këtë. Unë kundërshtova, por Karlos më kërcënoi me jetën time dhe të familjes”, kanë dëshmuar kolumbianët.

Ata janë shprehur se nga Gjirokastra drejt Tiranës e më pas drejt laboratorit kanë udhëtuar me automjete të vogla.

“Lëviznim gjithmonë me automjete të vogla, të cilat i ndërronin herë pas herë”, janë shprehur të dyshuarit. Sipas tyre, pas mbërritjes në Shqipëri, kanë marrë dy pagesa nga Karlos, një herë 4 mijë dhe një herë 5 mijë euro, për punën në laborator. Ata kanë pretenduar se ditën e operacionit policor ishin në përfundim të procesit të përgatitjes së një sasie prej 450 gramësh kokainë./Panorama