Ujëra të zeza në Kirurgji, mjekët anulojnë operacionet në spitalin e Gjirokastrës

spitali-gjirokaster-1Dëmtimi dhe nxjerrja jashtë funksionit e sallës së operacioneve në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ka sjellë ndërprerjen e të gjitha ndërhyrjeve kirurgjikale në të. Shkak është bërë përmbytja si pasojë e rrjedhjes së ujërave të bardha dhe të zeza, një kat më sipër.

Gjithçka është mbajtur e fshehtë nga drejtues të spitalit, deri sa familjarë të pacientëve që prisnin të operoheshin, janë larguar në mënyrë demonstrative duke i përcjellë ata drejt Spitalit të Fierit, apo dhe të Tiranës.

“Kishim lënë datën e sotme për ndërhyrjen e të afërmit tonë, por tani na thonë se nuk mund të bëhet operacioni pasi sallat janë jashtë funksionit. Nuk dimë sa ditë ka në këtë gjendje spitali, por stafi dhe drejtuesi duhet të kishin marrë masa të menjëhershme për të zgjidhur këtë problematikë. Pacientëve u rrezikohet jeta dhe askush nuk na ka sinjalizuar për shtyrjen e datës së operacionit. Të ndodhur në këto kushte, po detyrohemi që t’i drejtohemi Tiranës, se nuk mund të presim, pasi ende nuk e dimë se kur mund të zgjidhet kjo situatë”, u shpreh i afërmi i një pacienti që kishte mbërritur dje për ndërhyrje.

Për situatën e krijuar, nuk janë lejuar as mediat të filmojnë brenda sallës së ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkaq, infermierë të pavijonit kirurgjikal shprehen se bëhet fjalë për një katastrofë të vërtetë në prag epidemie të përgjithshme.

Të tria sallat e operimit janë kontaminuar me mbetje të lëngshme si pasojë e rrjedhjes nga sipër të tubacioneve të ujërave të zeza e të bardha, duke ndërprerë në mënyrë të rrufeshme të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale, çka është shoqëruar me ndërprerjen e operacioneve nga ana e kirurgëve.

Sipas shefit të Pavijonit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”, Murat Kaci, gjendja po shkon drejt përmirësimit me sterilizimin e të gjitha ambienteve që ishin objekt i përmbytjeve dhe në fillim të javës që vjen, do të kryhen operacionet e para. Sipas tij, bëhet fjalë për rrjedhje të pakontrolluar të ujërave të bardha nga një kat më sipër, rrjedhje që pikoi në dhomat e kirurgjisë një kat më poshtë.

Prej ditës së premte e deri më sot, u është refuzuar ndërhyrja kirurgjikale 20 pacientëve që prisnin radhën. Këta të fundit janë dërguar drejt Spitalit të Fierit dhe Tiranës. Investimi më i fundit në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 4 milionë euro. Por sot ky objekt paraqitet me probleme të shumta në strukturë, edhe pas këtij investimi./Panorama 

spitali-gjirokaster-1