Unaza e Pogonit, LSI në “siklet”, nis sulmet ndaj Mirela Kumbaros

Dy ditë pasi LSI Gjirokastër sulmoi indirekt Bledi Çuçin përmes një deklarate për mediat të klubit Luftëtari, sot radha është ndaj ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ndërsa motiv i sulmit ndaj Çuçit ishte dalja e tij në emisionin “Procesi Sportiv”, ku komentoi suksesin e Luftëtarit, për Mirela Kumbaron është miratimi i projektit për ndërtimin e Unazës së Pogonit.

Konkretisht një ditë më parë ministrja e Kulturës njoftoi në faqen e saj në Facebook miratimin e vendimit për këtë projekt në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve.

Ndërkohë sot përmes faqes LSI Dropull Pogon, është bërë një reagim, ku theksohet disa herë se ky investim në Pogon është kërkuar “vetëm prej deputetit Vangjel Tavo”. Nëse vazhdon të lexosh mes rreshtash kuptohet qartë një lloj “sikleti” i LSI-së, se mos ndoshta meritat për investimin ia merr ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Prandaj për ta kompletuar fabulën, në reagim përfshihet edhe dëshmia e kryetarit të LSI-së në Pogon, Thanas Naka.

“Jam vetë dëshmitar ku deputeti ynë z.Tavo ka kërkuar muaj më parë në Goranxi nga z.E.Rama  fonde për Pogonin, ku ishte prezent edhe zonja ministre e Kulturës, M.Kumbaro”, citohet të ketë thënë kreu i LSI-së.

Por nga ana tjetër në reagimin e saj të djeshëm, Mirela Kumbaro nuk është se rrekej të “privatizonte” këtë investim, thjesht njoftoi miratimin e projektit. Libohova Online sjell më poshtë për transparencë të dy reagimet.

/Libohova Online/