Vajza nga Libohova, e para shqiptare që punoi për CNN dhe Zërin e Amerikës (Foto)

252400_216760661680745_6929785_nNë arkivin e “CNN” dhe “Zërit të Amerikës”, një vend të veçantë zë dhe dosja e gazetares shqiptare, Nexhmije Zaimi. 

Mjaft nga personalitetet që kanë shërbyer për gjigandët e medias amerikane e përmendin herë pas here kontributin e spikatur të reporteres nga Shqipëria. Çuditërisht këtu, në “shtëpinë” e zonjës së famshme, dinë fare pak për të dhe kontributin e saj. Ka qenë veçoria e jetës nën diktaturën komuniste, që e ka mbajtur në hije dhe e ka lënë të pazbardhur historinë e shqiptares që bëri emër në median e SHBA-së. Qëndrimi kritik i Nexhmijes me regjimin diktatorial të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore do ta rreshtonte atë në radhën e “armiqve të Partisë e të popullit”, duke e stigmatizuar me lloj-lloj epitetesh vulgare. Do të ndodhte kështu çudia e radhës me një nga shqiptaret, që fill pas luftës, do të linte angazhimet e saj intelektuale në SHBA dhe do të gjendej në Itali për t’u marrë nga afër me përmirësimin e statusit social të mijëra refugjatëve shqiptarë, që kishin depërtuar aty për t’u shpëtuar reprezaljeve të luftës dhe dhunës komuniste. Do të reagohej kësisoj ndaj kontributeve të vyera të gazetares së famshme, që do të bënte shumë për të bindur Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan për çështjen shqiptare dhe për të fokusuar vëmendjen e tyre te gjendja e mjeruar e shqiptarëve të persekutuar në ish-Jugosllavi. Me një sjellje amorale do t’i përgjigjej hierarkia e lartë e shtetit komunist shqiptares që do të raportonte e para për OKB-në praninë e kampit të refugjatëve me një milion palestinezë. Në mënyrën më të paskrupullt do të reagonin strukturat e sigurimit të shtetit përballë kundërshtisë së prerë të saj për të bashkëpunuar me ta. Gjithsesi, për asnjë çast ajo nuk u tërhoq nga rruga e saj, nga angazhimi në shërbim të çështjes shqiptare dhe të shqiptarizmës. Mbeti deri në ditët e fundit të jetës së saj e vendosur dhe këmbëngulëse për misionin që i kishte dhënë vetes në ndihmë të njerëzve dhe në vijën e parë të frontit kundër padrejtësive. 
Për herë të parë për median në Shqipëri, gazeta “Panorama” sjell nëpërmjet dokumenteve dhe dëshmive të bashkëkohësve një profil të plotë të jetës dhe veprimtarisë së publicistes dhe intelektuales së shquar, Nexhmije Zaimi. Kontakti dhe intervista me të birin e saj, Erik Margolis, një tjetër gazetar i njohur ky i “CNN”, zbardh deri në detaje karakterin dhe angazhimet e vyera të saj… 

Nëna juaj është quajtur “mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve”, ndërkohë që në Shqipëri pak njerëz e njohin kontributin e saj. Çfarë mund të thoni për jetëshkrimin e saj?

Nexhmija, nëna ime, lindi në një familje toske, siç thoshte ajo në gjallje, diku në vitin 1914 dhe u rrit në qytetin e vogël të Libohovës dhe në Tiranë. Them diku, se ajo vet pretendonte se kishte lindur në vitin 1917. Babai i saj Mustafa Zaimi ishte njëri nga zyrtarët e lartë të qeverisë osmane. Kishte një motër, Hanifen dhe dy vëllezër, Mehmetin dhe Hiqmetin. Ky i fundit vdiq i ri nga një sëmundje në mushkëri.

Thatë se fëmijërinë e kaloi në Libohovë dhe në Tiranë, ndërkohë që babai ishte pjesë e administratës shtetërore. Për çfarë studioi Nexhmija?

Nexhmija, bashkë me një vëllanë e saj, Mehmetin ndoqën një shkollë të drejtuar nga misionarë amerikanë të Kishës Protestante (Presbyterian). Nëna ime ka qenë ndër gjashtë vajzat e para në Shqipëri, që në atë periudhë shkuan në shkollë të mesme. Kjo ishte një zgjedhje e saj në kundërshtim me dëshirën e prindërve, të cilët bënë ç’është e mundur për të mos e lejuar të vazhdonte studimet. Edhe më herët Nexhmija kishte dalë në kundërshtim me dëshirën e prindërve. Kur ishte diku 13 apo 14 vjeçe, familja e urdhëroi të vinte perçe, por ajo e refuzoi dhe e hodhi atë nga dritarja, duke shkaktuar një skandal në Tiranë. Nëna ime mbante veshje perëndimore, duke refuzuar për të ndjekur traditat turke për gratë që dominonin atëherë në Shqipëri…

Si mbërriti Nexhmija në Amerikë, kur ishte ende e re në moshë?

Sipas traditës së asaj kohe, kur ishte 16 vjeçe, me detyrimin e prindërve u martua me një burrë shumë më të vjetër se ajo, martesë që nuk u konsumua kurrë, pasi ata nuk jetuan bashkë për asnjë çast. Pas vdekjes së nënës së saj, Nexhmija mundi të largohej nga Shqipëria për në SHBA, falë lidhjeve me një sponsore protestante nga Nju Xhërsi. Këto lidhje pra, me zonjën Jesse Munger, i krijuan hapësirat, madje edhe komoditetet e nevojshme për të ndërtuar një jetë të re. 

Ku i nisi studimet e para pas zbritjes në Amerikë?

Pas rrugëtimit me anije për në Nju Jork, punoi për pak kohë në shtëpinë e zonjës Munger, ndërkohë që më vonë filloi studimet në Kolegjin e Wellesley-it, universitet ky, nga më prestigjozët dhe më të famshmit për femrat në atë kohë. Kështu, ajo u bë e para grua shqiptare që shkoi në universitet, me gjithë kundërshtimin e madh të familjes dhe pavarësisht zakoneve shqiptare. 
Në “Wellesley” Nexhmija përvetësoi anglishten në mënyrë të përshpejtuar dhe u bë studente e nivelit A, që do të thoshte e nivelit shkëlqyeshëm. Gjatë katër viteve në këtë universitet, ajo shkroi një libër që u vlerësua jashtëzakonisht në atë kohë dhe u shit në mënyrë rekord. Libri quhej “Bija e shqiponjës”.

Ku filloi punë pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Wellesley?

Ajo, menjëherë pas diplomimit, nisi sërish studimet në një tjetër universitet, madje po kaq të famshëm sa dhe ai. Në Universitetin e Kolumbisë u diplomua për gazetari. Gjatë kësaj periudhe, ajo u njoh dhe u martua me Henry M. Margolis, një jurist nga Nju Jorku, i cili merrej me administrimin e hoteleve dhe pronave të tjera. Bashkëjetesa e tyre ishte e shkurtër dhe produkt i saj ishte një fëmijë i lindur në shkurt të vitit 1943, me emrin Erik Skënderbeg Margolis. Pra, unë djali i vetëm i tyre.

Me sa dimë nëna juaj pas Luftës së Dytë Botërore është shpallur nga autoritetet italiane “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë”. Me çfarë motivacioni lidhet ky dekorim?

Pas Luftës së Dytë Botërore, Nexhmija shkoi në Itali, ku punoi për disa vjet, duke ndihmuar shqiptarët dhe refugjatët e tjerë, të cilët kishin emigruar në Itali. Ajo kaloi disa kohë në Kalabri duke investiguar historinë e shqiptarëve arbëreshë dhe dialektin e tyre të shqipes mesjetare. Pikërisht për punën me refugjatët dhe kontributet e jashtëzakonshme që ofroi në ndihmë të tyre, Nexhmija u bë “Comandatoressa della Coronna d’Italia”, që do të thotë “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë” dhe iu dha një nga medaljet italiane më të larta. Kjo është, si të thuash, historia e dekorimit të nënës time nga autoritetet italiane. Për vitet kur ajo ka shërbyer në atë zonë ajo ka lënë edhe shumë shënime, në të cilat ka regjistruar kronikën e plotë të aktivitetit të saj në Itali pas Luftës së Dytë Botërore. Më duket çudi, duke pasur parasysh distancën e vogël të Shqipërisë me Italinë, që për këtë aktivitet të saj aty e dinë shumë pak bashkëkombësit e saj, për mos të thënë se nuk e njohin fare.

Diçka për kontaktet që mbante nëna juaj në Amerikë me familjarët e saj në Shqipëri…

Lidhjet e nënës time me familjen e saj në Tiranë ishin gjithmonë shumë të ngushta. Ajo nuk i takoi ata për dekada, por kujtimi për Shqipërinë dhe dashuria e saj për familjen mbetën gjithmonë shumë të forta. Ajo vuante vazhdimisht nga frika se mos familjarët e saj arrestoheshin dhe torturoheshin, apo edhe vriteshin nga sigurimi i shtetit, veçanërisht kur ajo u bë e famshme në çështjet politike shqiptare në SHBA. Në mjaft nga analizat e saj në median amerikane, duke filluar nga “CNN”, ajo, duke promovuar vlerat më të mira të shqiptarëve, fshikullonte me forcë regjimin komunist të vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo nuk i shkëputi për asnjë çast lidhjet e saj me vendlindjen dhe kudo u krenua me faktin që ishte shqiptare.
Në fund të viteve 1940, 1950 dhe 1960 nëna ime përpiqej ta shpëtonte familjen e saj nga uria, duke dërguar ngarkesa të rregullta me ushqime dhe veshmbathje. Kështu ndoshi edhe në kohën kur ajo kishte pak të holla pas divorcit në vitin 1949. Familja e saj në Tiranë u deklarua “Armike e popullit” nga komunistët, vetëm pse të afërmit e saj kishin ndjekur shkollën amerikane. Gjendjen e tyre politike e rëndonte ndërkohë fakti që Nexhmija dhe vëllai i saj, Muhameti kishin shërbyer disa kohë si përkthyes për ambasadën britanike në Tiranë. Angazhimi i saj si një nga gazetaret me emër të medias perëndimore, e bënin edhe më të rëndë pozicionin e familjarëve të saj në Tiranë. 

Çfarë u kujtohet nga rrëfimet e nënës për persekutimet që u bëri regjimi komunist familjarëve të saj në Tiranë?

Muhameti, vëllai, i Nexhmijes, u burgos dhe u torturua për 16 vjet nga regjimi i Hoxhës. Kjo vetëm për faktin që kishte punuar disa kohë si përkthyes i britanikëve në Tiranë dhe si vëllai i nënës time, që nuk e kishte mbështetur asnjëherë regjimin që erdhi në fuqi pas çlirimit të vendit. Po kështu kushërinjtë e mi të parë u internuan në Burrel. E gjithë familja Zaimi dhe Çano (motra e Nexhmies, tezja ime ishte martuar në familjen Çano), u shkatërruan si rezultat i kësaj përndjekje të tmerrshme politike dhe me zor mundën të mbijetonin. Ndërkaq, një i afërm tjetër i nënës time, Besnik Çano, i lidhur me familjen e saj, u bë drejtues i shquar i rezistencës antikomuniste, për të cilën u zbulua dhe u torturua për vdekje nga komunistët. Përmbledhtazi, çdo gjë që kishte lidhje me fisin e nënës time në Shqipëri, provoi një reprezalje të tërë të dhimbshme.

Në Shqipëri dinë farë pak për veprimtarinë e Nexhmije Zaimit në Amerikë në shërbim të çështjes shqiptare. Çfarë do të shtonte për këtë djali i vetëm i saj…

Nga viti 1950 deri në vitin 1980, Nexhmija luajti një rol drejtues në një sërë organizatash shqiptaro-amerikane. Më e rëndësishmja ndër to ishte federata pan shqiptare “Vatra”. Ndërkaq, ajo përfaqësonte Shqipërinë në Ligën e Kombeve të Evropës Juglindore me qendër në SHBA dhe në Kongresin Amerikan për çështjet shqiptare dhe për të kthyer vëmendjen e tyre tek gjendja e mjeruar e shqiptarëve të shtypur në ish-federatën jugosllave. Nëna ime ishte e përfshirë tërësisht në veprimtaritë atdhetare që ndihmonin komunitetin shqiptar në Nju Jork apo Nju Xhërsi, veçanërisht të ardhurit rishtaz, të cilët kalonin një moment shumë të vështirë për t’u integruar në jetën amerikane, pasi kishin jetuar në Shqipëri, apo në kampet e refugjatëve. Në vazhdim ajo vijoi me përkthimet në gjykatat e Nju Jorkut për shqiptarët e akuzuar për vepra të ndryshme dhe përpiqej t’i ndihmonte ata dhe familjet e tyre për t’u zbutur sa të ishte e mundur krizat e ndryshme…

“Mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve” 

Ka qenë nga mikeshat e afërta të ish-mbretëreshës Geraldinë kur ajo nuk i gëzonte privilegjet e monarkisë dhe e ka dashur si një motër të vërtetë. Ka ndodhur pastaj që është pagëzuar me fronin e saj, duke u quajtur “mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve”. Dhe ka punuar një jetë të tërë për t’i shërbyer çështjes shqiptare dhe bashkëkombësve të saj, pa kërkuar tituj e grada. Kështu, deri pak vite më parë, kur ndërroi jetë në Santa Barbara të Kalifornisë në moshën 90-vjeçare. Eshtë një histori e panjohur në Shqipëri për vet papajtueshmërinë e saj me sistemin komunist që u vendos në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore. Një histori interesante që ka për protagoniste Nexhmije Zaimin, vajzën e lindur në qytetin e Libohovës në fillimet e shekullit të kaluar dhe të vendosur në SHBA në vitin 1937. Studentja shqiptare që do të shkëlqente në universitetin “Wellsley College” dhe në “Columbia University”, do të bëhej më vonë një nga gazetaret me emër në median amerikane, duke spikatur sidomos mes kolegëve vendas të “Zërit të Amerikës”, “CNN”, “Evropës së Lirë”, për ta lartësuar personalitetin e vet me shërbimin profesional në “Office of Strategic Services” (Zyra e Shërbimit Strategjik e SHBA-së). Gjatë gjithë karrierës së saj si gazetare ka promovuar vlerat dhe traditat e bashkëkombësve, duke u bërë ndërkaq një zë i rëndësishëm në mbrojtje të çështjes së shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kontaktet dhe miqësia me figura të tilla si Abaz Kupi, Fan Noli, Faik Konica etj. i ka dhënë misionit të saj një përmbajtje të spikatur kombëtare. Përtej angazhimeve me problematikën e shqiptarëve, Nexhmije Zaimi është regjistruar në memorien e institucioneve të rëndësishme amerikane si gazetarja e cila përcolli e para gjendjen e mjeruar të refugjatëve palestinezë në vitet ‘50. Më shumë se kaq, ajo ka qenë nga të rrallat punonjëse të medias amerikane, që ka sjellë për shtypin në SHBA raportet e para nga pasojat e konfliktit arabo-izraelit, ndërkohë që ka qenë e para që ka realizuar intervistat me personalitetet më të larta të vendeve arabe, si me mbretin e Jordanisë, Husein, atë të Egjiptit, Naser etj. Veprimtaria e saj është vlerësuar nga personalitetet më të larta të jetës politike e publike të SHBA-së dhe nga mjaft institucione prestigjioze të vendeve perëndimore.

Konica në kujtimet e Nexhmijes

Nga kujtimet e saj për Konicën, përveç mbresave nga takimet e drejtpërdrejta, Nexhmija veçon konsideratat e senatorëve dhe kongresmenëve të ndryshëm amerikanë, të cilët i kanë thënë se ndër të huajt që janë në SHBA, Konica është i pakrahasueshëm për nga aftësitë diplomatike, kultura, sjelljet, veshja dhe humori. Për ta ishte mjaft domethënëse paraqitja e tij në takimet me diplomatët amerikanë me kostumin kombëtar.

Mirënjohja e Rusveltit

Nexhmije Zaimi është një nga personalitetet shqiptare që ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare. Eshtë dekoruar së pari nga shoqëria amerikane e veteranëve të luftës “American Legion”. Ka marrë titullin e nderit “Komandante e Kryqit Italian” dhe një nga medaljet italiane më të larta. Ndërkaq, ajo është dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i SHBA-së, Rusvelt.

Sfida përballë sigurimit të shtetit

Gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri, në vitin 1986, Nexhmije Zaimi u thirr nga punonjësit e sigurimit të shtetit. Ata i bënë një mori pyetjesh: “Me se merresh në Amerikë”, “Pse flet me tradhtarët e kombit”, “Çfarë lidhje ke me familjen e mbretit Zog” etj. Në vijim, në mënyrë djallëzore, i kërkuan që me shoqërinë e saj në “CNN”, të bënte promovime të ndryshme në të për sukseset e komunizmit në Shqipëri. Pas refuzimit kategorik të kësaj oferte, ajo shpallet “Person i padëshirueshëm”

Përjetime nga takimet me kolosët e kulturës shqiptare

Zaimi: Me Fan Nolin u njoha në varrimin e Avni Rustemit 

Nexhmije Zaimi është ndjerë mirë, siç ka shkruar vet ajo, kur është takuar me kolosët e kulturës shqiptare, Fan Noli dhe Faik Konica. Me Fan Nolin është takuar për herë të parë në qytetin e Vlorës, ndërsa me Konicën në Washington, kur sa kishte mbërritur nga Shqipëria. Në kujtimet e saj kanë mbetur emocionet nga takimi i parë me Fan Nolin…
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral bashkë me mua dhe prindërit e mi ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë. Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”. Po me Nolin, Nexhmije Zaimi, siç ka shkruar vet ajo, do të takohej disa herë më vonë në Nju Jork dhe të dy bashkë do të bëheshin ndër protagonistët kryesorë të federatës atdhetare “Vatra”. Sidoqoftë takimi i parë me të në përcjelljen e Avni Rustemit do të mbetej i paharruar…

Gazetarja që kundërshtoi politikën amerikane 

Nexhmija zbuloi e para kampin e refugjatëve me një milion palestinezë 

“Të vërtetën duhet ta shikojmë në sy: Unë arrita ta vizitoj nga afër kampin e refugjatëve me një milion palestinezë”. 

Për herë të parë në median amerikane raportohet për kampet e mëdha të refugjatëve palestinezë dhe për shkeljen brutale të të drejtave të njeriut në rajonin e Lindjes së Mesme. Gazetarja me origjinë shqiptare, Nexhmije Zaimi, e cila depërtoi në zonën në konflikt qysh në vitin 1949, është e para që raportoi për opinionin në SHBA krijimin e kampeve të refugjatëve dhe gjendjen e traumatizuar të njerëzve që jetonin në to. Investigimet e saj disavjeçare do të promovonin të vërtetat e konfliktit arabo-izraelit dhe shkaqet e tij. Më shumë se kaq, ajo do të paralajmëronte institucionet amerikane për rrezikun që mbartte mbështetja e SHBA-së ndaj sinoistëve izraelitë, duke bërë thirrje të hapur për bllokimin e deportimit të sovjetikëve në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme. Nexhmije Zaimi rikthehet si mysafire në këtë zonë në vitin 1950, 1951, 1952,1953 e 1954 dhe viziton nga afër Palestinën, Pakistanin, Jordaninë, Libanin, Egjiptin, Sirinë dhe mjaft shtete të tjera arabe, për t’u takuar me politikanë e njerëz të thjeshtë, me deputetë e shkrimtarë etj. Gjatë takimeve me ta shkëmbeu mendime për konfliktin ndërmjet shteteve arabe dhe Izraelit dhe për rrugët e mundshme për zgjidhjen e tij. Intervistoi disa nga figurat kryesore të jetës publike e politike, si mbretin Hussein të Jordanisë, presidentin Naser të Egjiptit etj. Me hulumtimet në terren dhe njohjen nga afër të situatës në rajonin e trazuar, Nexhmija kompletoi një studim me argumente të plota kundër filozofisë sinoiste: “Palestina, një vend pa njerëz, për njerëz pa tokë”, me të cilën tërhoqi vëmendjen e opinioneve zyrtare amerikane jo vetëm për guximin, por edhe për prognozën për të nesërmen e konfliktit që do të vazhdonte për vite e dekada me radhë. Ndërkaq, shqiptarja që do ta shkelte me këmbë të gjithë teatrin e konfliktit arabo-izraelit, do të sillte për herë të parë në median amerikane të vërtetat e tij me raporte të drejtpërdrejta nga terreni. Për herë të parë amerikanët do të kishin mundësi që në shtypin e tyre të lexonin konsideratat dhe opinionet e krerëve të vendeve të Lindjes së Mesme të intervistuara nga gazetarja shqiptaro-amerikane, Nexhmije Zaimi. Periudha e “guidës” në këtë zonë do t’i jepte mundësinë gruas së lindur e rritur në Shqipëri të takohej me ish-mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, dhe të vendoste miqësi të ngushtë me mbretëreshën, Geraldinë, e cila do ta ndihmonte pa kursyer për të përmbushur misionin e saj. 

Gazeta “Panorama”, nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe kujtimeve të të birit të saj, Erik Margolis, aktualisht drejtor editorialist i gazetës më të madhe në Kanada “Toronto Tun”, ka mundur të zbardhë veprimtarinë e saj publicistike të fokusuar rreth shkaqeve të konfliktit arabo-izraelit dhe parashikimet e saj për tendencat e tij, të provuara tashmë nga koha dhe me një tingëllim aktual në ditët e sotme…


Nga aq sa dihet në Shqipëri, Nexhmija e ka nisur karrierën e saj si gazetare në Lindjen e Mesme. Çfarë kujtoni nga rrugëtimet e para të saj në këtë zonë të futur rishtaz në konfliktin që do të vazhdonte për vite e dekada?

Nëna ime gjithmonë ka pasur interes të thellë për Lindjen e Mesme. Në këtë interesim ka pasur edhe motive specifike. Ajo shkoi në Kajro në vitin 1949. Të vetmen adresë që kishte, ishte ajo e mbretit Zog dhe familjes mbretërore që ndodheshin aty në emigrim. Kishte një afeksion të veçantë për mbretëreshën Geraldinë. Zogu ishte i ftuari i mbretit të Egjiptit, Faruk, i cili ishte me prejardhje shqiptare. Në Kajro ndenji pranë Geraldinës dhe me rrugëtimet e ndryshme aty u njoh me situatën jo vetëm në Egjipt, por në tërë rajonin. Miqësia e familjes së mbretit Zog me mbretin Faruk do t’i jepte mundësi për të depërtuar përtej pamjes së jashtme të situatës në vendet e Lindjes së Mesme. Nga kjo vizitë e Nexhmijes në Egjipt do të përfitoja edhe unë për t’u njohur pak më vonë me mbretin e Egjiptit, që ishte me origjinë shqiptare. Ka qenë viti 1958, kur unë isha bashkë me nënën time në një hotel në Gjenevë. Ndërkohë që pushonim në dhomën tonë, Nexhmija, që me sa dukej e kishte marrë vesh vendndodhjen e Farukut, një çast m’u drejtua: “Ngjitu në katin lart për të takuar mbretin e Egjiptit dhe i thuaj se je shqiptare!” Ashtu veprova. Sa mbërrita aty, Faruku më vuri duart në qafë (ishte shumë i shëndoshë) dhe më përqafoi me shumë përzemërsi. Të paktë janë njerëzit që mund të thonë se kanë pasur rastin të takohen me kaq përzemërsi me mbretin Faruk…

Kur fillojnë raportet e para të Nexhmijes nga Lindja e Mesme për shtypin amerikan?

Pas udhëtimit të saj në Egjipt në vitin 1949, Nexhmija tregoi shumë interes për zonën dhe në mënyrë të veçantë për shtetin e ri të Izraelit, që sapo ishte krijuar. Në vitet 1950-1951, ajo u kthye në Lindjen e Mesme si gazetare përfaqësuese e “Newark News”, një prej gazetave kryesore të asaj kohe në pjesën e Nju Jorkut. Ajo udhëtoi më pas në Amman, Jordani, ku nisi të takohet me palestinezët dhe të mësonte për fatkeqësitë që kishin prekur këtë popull. 
Nexhmija ishte e para gazetare amerikane që “zbuloi” kampet e mbushura me refugjatë palestinezë, që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Në atë kohë, amerikanët kishin mësuar nga Zionists se “Palestina është një tokë pa njerëz, për njerëz pa tokë”. Askush në Amerikë nuk e dinte se të paktën 750 000 palestinezë, myslimanë dhe të krishterë, ishin pastruar etnikisht. Nexhmija ishte e para që zbuloi kampet e refugjatëve dhe me raportin e saj drejtpërdrejt nga rajoni, tronditi opinionin amerikan. Ajo zbuloi gjendjen mjerane të refugjatëve dhe raportoi se ata ishin të veshur me lecka, jetonin në tenda dhe ushqeheshin shumë keq. Tragjedia e tyre dhe sensi i padrejtësisë së thellë e preku nënën time, e cila gjatë gjithë jetës ishte luftëtare për të shtypurit dhe të papërkrahurit. 
Në atë udhëtim dhe në një tjetër, dy vjet më pas, ajo kaloi në Egjipt, Jordani, Siri Irak dhe Liban, ku krijoi një tablo të plotë të asaj që ndodhte në rajonin e përfshirë në konfliktin e ashpër. Nexhmija ishte e para gazetare amerikane që kuptoi thellë atë që ndodhte në këtë zonë dhe problemet që ekzistonin aty. Ajo njohu ndërkaq edhe rolin e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe në këtë situatë. Në Jordani ajo u takua me kryeministrin dhe madje arriti të siguronte një intervistë me mbretin Hussein. Në atë kohë Hussein ishte shumë i ri. Ai ishte ngjitur në fron pak kohë më parë nga britanikët, pasi i vëllai më i madh ishte deklaruar i paaftë mendërisht. Nexhmija kaloi shumë kohë duke biseduar me Hussein, të cilin e njohu si një njeri të mbarsur me ide, inteligjent dhe i përqendruar thellësisht në vuajtjet palestineze. Megjithatë, ndjenjat e tij fisnike nuk zgjatën shumë, sepse shumë shpejt ai do të pajtohej me gjendjen pa depërtuar në shkaqet e vërteta të konfliktit. Qëndrimi i tij në pushtet do të kushtëzohej nga mbështetja e perëndimit dhe e ushtrisë së tij beduine…

Dihet që Nexhmija është e para gazetare amerikane që intervistoi liderin egjiptian, Gammal Abdel Sadat. Në cilat rrethana mundi ta realizojë intervistën me të?

Në Egjipt, Nexhmija mori takim fillimisht me Anvar El Sadat, një nga njerëzit më të afërt të kreut të shtetit, Abdel Naser, me funksionin e ministrit të shtetit për Informacionin, që njihej ndryshe edhe numri dy i regjimit egjiptian. Ajo shkoi në zyrën e tij dhe nuk u largua derisa Sadat e priti. Qëndroi atje 9 orë, derisa më në fund Sadat doli duke qeshur dhe i dha një intervistë. Po Nexhmija nuk u mjaftua me kaq. Synimi i saj mbetej te kreu i shtetit me një fuqi magjike në atë periudhë, jo vetëm në Egjipt, por në tërë zonën e Lindjes së Mesme. Zonja misterioze dhe shumë tërheqëse e joshi Sadatin, i cili i rregulloi një intervistë me liderin egjiptian, Gammal Abdel Nasser. Ajo shpenzoi sërish shumë orë me Nasser, i cili, siç vë në dukje ajo, iu duk brilant, i ndershëm dhe i përkushtuar … “një burrë i vërtetë”. Nasser i foli në lidhje me planet e tij për modernizmin e Egjiptit. Ajo i tregoi Nasser-it, në mënyrën e saj të zakonshme shqiptare, aspak diplomatike, por të drejtpërdrejtë, se ai duhej të bënte diçka për të ndihmuar palestinezët që vuanin në kampet e refugjatëve. Ishte një intervistë që u ndoq me shumë interes në atë periudhë, kur në Amerikë dinin shumë pak rreth asaj që ndodhte në rajonin në konflikt të Lindjes së Mesme.
Kaloi shumë kohë në pjesën e sipërme të Nilit në Egjipt, duke depërtuar në thellësinë e profilit të këtij vendi të rëndësishëm dhe popullit të tij, të cilin e pëlqente aq shumë.

Si priteshin raportet e Nexhmijes nga opinioni amerikan në atë periudhë?

Shkrimet e saj nga rajoni i futur rishtaz në konflikt ngjallën shumë interes dhe kërshëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por u përballën njëkohësisht edhe me kritika të ndjeshme nga mbështetësit e qarqeve sinoiste. Ajo realizoi një studim të titulluar “Gauge of Arab Anger” rreth vitit 1953, në të cilin në mënyrë profetike vuri në dukje se ndërsa Amerika, që ishte heroi për të gjithë arabët do të vazhdonte të mbështeste në mënyrë të njëanshme hebrenjtë, një ditë do ta kthente botën myslimane kundër vetvetes, duke u bërë në këtë mënyrë pre e zemërimit e madje dhe e dhunës. 50 vjet më vonë, predikimet e saj vijnë vërtet shokuese. Ajo paralajmëroi ndërkaq, se mbështetja e njëanshme që do të mund të bënte Amerika, do të drejtonte shumë prej arabëve tek ushtria ruse, gjë që në fakt ndodhi me Egjiptin, Sirinë, Irakun dhe Jemenin. Nëna ime iu përmbajt faktit se palestinezët nuk do të shiteshin për kompensim e për asgjë tjetër. Ajo foli për tmerret në kampet e refugjatëve palestinezë: pa ushqime, pa spitale dhe shkolla, pa energji elektrike. Asgjë, veçse lot, mungesë e shpresës dhe dëshpërim. Qeveria amerikane nuk u tregua sa duhet e vëmendshme për të dhënat e saj, ashtu sikurse nuk i vlerësoi si duhet edhe paralajmërimet e veteranëve të tjerë të Lindjes së Mesme. Eshtë periudha kur ndikimi i lobit izraelit në SHBA ishte ende i fuqishëm. Askush nuk kujdesej për ata njerëz që ishin larg, të cilët nuk mund të votonin dhe të jepnin kontribut politik. Një rajon i tërë vuante në kufijtë e mbijetesës.

Si rrodhi më tej jeta e Nexhmijes e përkushtuar tërësisht nga angazhimi në mbrojtje të palestinezëve dhe popujve të tjerë të Lindjes së Mesme?

Nëna ime e kishte përjetuar me shumë dhimbje tragjedinë e hebrenjve në Evropë dhe shumë prej miqve të saj në Nju Jork ishin hebrenj. Por siç thoshte ndonjëherë “Izraeli kishte më tepër mbrojtje nga sa i duhej. Të gjorët palestinezë, nuk kishin askënd që të fliste për ta”. Shpesh ajo më përsëriste pikëpamjen e saj se kombet e Lindjes së Mesme nuk ishin aspak në gjendje të flisnin me perëndimorët, apo të fitonin mbështetjen e tyre. “Ata janë patetikë”, do të vinte re ajo, “gjysmë primitivë” (kur bëhet fjalë për komunikimin modern). Siç kam shkruar në Nju Jork, nëna ime u detyrua të ndërpriste shkrimet, kur gazeta e saj, nën mbikëqyrjen e këshilluesve më të mëdhenj, për të ndaluar shkrimet, e largoi atë si korrespondente të jashtme. Jo vetëm kaq. Atë do ta ndiqnin më vonë edhe mjaft kërcënime. Gati një vit më pas, në orët e vona të natës, mes thirrjeve, trokitjeve në derë dhe ndjekjeve në rrugë, njerëz të egërsuar shoshnin se do më qorronin me acid, pikërisht mua, djalin e vetëm të saj. Qarqet sinoiste të fuqishme në atë periudhë bënë çfarë mundën për të ndalur penën e saj, që nuk rreshti asnjëherë në mbrojtje të njerëzve të shtypur… 

Mbreti Hussein me 60 roja shqiptare

Teksa do të përcillte për në median amerikane intervistën e plotë me mbretin e Jordanisë, Nexhmije Zaimi do të hidhte në bllokun e saj të shënimeve edhe mbresat nga takimi i parë me kreun e këtij vendi arab. “U mirëkuptova me të që në çastet e para”, do të shkruante gazetarja shqiptare. “Ishte i mirësjellshëm në bashkëbisedim dhe herë pas here gjërat që i vlerësonte të rëndësishme, i përsëriste dy herë, me qëllim që mesazhi i tyre të shkonte i plotë dhe pa mëdyshje te lexuesi i thjeshtë”. Në vazhdim të kujtimeve nga biseda me mbretin Hussein, Nexhmije Zaimi nënvizon edhe një detaj që ka të bëjë me çastet e ndarjes me të.

“Kur e përfunduam intervistën, mbreti Hussein më tha se do të më përcillte deri te hyrja e pallatit mbretëror. Madje vuri në dukje se kishte rezervuar një surprizë për mua, gazetaren shqiptare që kisha shkuar nga larg për opinionin e tij. Ndërsa zbrisnim shkallët e pallatit, në të dy anët e tyre na nderonin me qëndrim gatitu 60 roja të gjata e të veshura me uniformë ceremoniali. Diku më tha se mund të komunikoja me ta. “Anglisht”, i thashë. “Jo, shqip”, më tha ai, duke u ndalur para tyre. “Shqip?!” “Po, po shqip”, këmbënguli mbreti Hussein. “Si ka mundësi”, e pyeta unë e habitur. “Këta të gjithë janë shqiptarë”, sqaroi ai surprizën që kishte vendosur të më bënte në ndarje e sipër. Kur i thashë se pse kishte zgjedhur pikërisht shqiptarët për t’i bërë roja, mbreti Hussein shpjegoi se ata janë besnikë dhe trima. 

“Filozofia ‘Palestina, një vend pa njerëz, për njerëz pa tokë’, është antinjerëzore”

Nexhmije Zaimi ka qenë ndër gazetaret e para që ka tërhequr vëmendjen e qarqeve amerikane për një qëndrim më objektiv ndaj vendeve të Lindjes së Mesme. Studimi i saj “Madhësia e inatit arab” i bërë publik qysh në vitin 1952, depërton te thelbi i konfliktit arabo-izraelit, pas një investigimi disavjeçar të saj në terren. Është nga zërat e rrallë në median amerikane të kohës, që ngrihet kundër filozofisë genocidiste të sinoistëve dhe mbështetësve të tyre në SHBA. Nga aq sa kujton i biri, Eriku, ajo në fillimin e viteve ‘50 ka goditur me guxim në opinionin amerikan qëndrimin në mbështetje të sinoistëve, të cilët zbatonin strategjinë “Palestina një vend pa njerëz, për njerëz pa tokë”. Është koha, shton i biri i Nexhmijes, kur lobi izraelit në SHBA, Eshte një rol përcaktues në politikën amerikane. Në këtë mjedis përfitonin sinoistët, të cilët nuk reshtën përpjekjet për të sensibilizuar qarqet zyrtare të SHBA-së për të siguruar mbështetjen e tyre në zbatim të strategjisë sinoiste. Në studimin e vitit 1952, Nexhmije Zaimi paralajmëron efektet negative të mbështetjes amerikane ndaj sinoistëve. “Mbështetja pa limit e Izraelit nga Amerika, paralajmëron ajo, në të ardhmen do të mund të ndryshojë në interes të arabëve”. Erik Margolis, i biri i vetëm i Zaimit, thekson se 15 vite më vonë parashikimet e saj u kthyen në të vërteta. Gjithsesi, përmbyll, drejtori editor i “Toronto Sun”, këtij guximi të jashtëzakonshëm për kohën do t’i shijonte edhe “sherrin”: Terroristët sinoistë nuk do t’ia falnin dhe një ditë do të hakmerreshin, duke i hedhur acid në sy. Po edhe pas këtij atentati, Nexhmije Zaimi mbeti e angazhuar në përpjekjet e saj në luftën pa kompromis kundër padrejtësive dhe dhunës ndaj shtresave të pambrojtura… 


Flet djali i Nexhmijes, Erik Skënderbeg Margolis 

“Sigurimi i shtetit më kërcënoi familjarët nga Nju Jorku”

Gazetari shqiptar që raportoi nga 15 konflikte ushtarake për stacionet më prestigjioze të Perëndimit.

“Të bësh korrespodentin e luftës, duke raportuar nga vija e parë e betejave, do të thotë të jesh luftëtar dhe t’i kushtosh jetën profesionit”. Njeriu që ka nënshkruar poshtë këtij mesazhi, i cili citohet shpesh në auditorët që shkollojnë punonjësit e medias, është i biri i gazetares së shquar shqiptare, Nexhmije Zaimi, Erik Skënderbeg Margola. 

I panjohur në Shqipëri dhe në rrethin e njerëzve të medias shqiptare, Eriku është regjistruar tashmë në elitën e gazetarëve ndërkombëtarë, si një nga mjeshtrat e guximshëm që ka raportuar nga 15 konflikte të armatosura, duke qenë i pranishëm në teatrin e luftimeve, madje ku ka qenë piku i tyre dhe shkalla më e lartë e rrezikut. Shqiptari që e njëson misionin e gazetarit me atë të luftëtarit, ka koleksionuar në përvojën e tij kronikën e betejave duke filluar nga Angola, Mozambiku, Afrika e Jugut, Vietnami, Kurdistani, Çeçenia, Salvadori, Afganistani, Kashmiri, Bosnja, Serbia e deri tek Iraku, duke përmbyllur në njëfarë kuptimi enciklopedinë e konflikteve ushtarake të kohëve moderne. Fakti që raportet e tij kanë qenë të destinueshme e të vlerësuara nga stacionet më prestigjioze të perëndimit si ÇN, FOX, CBC, CTV, Britain SKY etj., si dhe nga gazetat më në zë të SHBA-së, Kanadasë, e Britanisë, ku vazhdon edhe sot të jetë nga gazetarët më të spikatur, tregon potencialin e lartë profesional të këtij mjeshtri të fjalës së lirë, që i pëlqen të krenohet me të qenit shqiptar dhe ta njësojë profesionin e vet me atë të luftëtarit, një amanet ky nga e ëma, Nexhmija, e cila investoi pa kursyer për të trashëguar tek ai profesionin e vet.

Erik Margolis njihet ndryshe në mjediset politike si komentatori që paralajmëroi i pari pasojat e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe tragjedinë e përgjakshme të Kosovës në mesin e viteve ‘90. Më shumë se ndjenja e të qenit shqiptar, në këtë përfundim do ta çonte përvoja e pasur e krijuar nga ndjekja e konflikteve rajonale e ndëretnike dhe njohja e mentalitetit fashist të shovinizmit serbomadh. “Rrezikun për genocidin e Milosheviçit, kujton Erik, e kam paralajmëruar qysh në vitin 1989, menjëherë pas fjalimit të tij në Fushë Kosovë. Më duhej të isha sa më objektiv në analizat e mia, duke mposhtur edhe ndjenjat personale si shqiptar, për të ruajtur profesionalizmin. Atë që ndjeva e thashë hapur, por reagimi ishte me vonesë, duke lënë kështu një kosto jo të vogël”. Ky zë i vendosur në median e rëndësishme të Perëndimit, nuk do t’i shpëtonte vëmendjes së nacionalizmit serb, që bëri ç’është e mundur për ta asgjësuar.

Gjithsesi, Eriku që mundi t’u shpëtojë edhe atentateve në emër të profesionit dhe fjalës së lirë, mbetet një shkollë e hapur për median dhe reporterët e saj. Përvoja dhe karriera e tij është një pasuri me identitet shqiptar. Nga biseda me të, gazeta “Panorama” mundi të zbardhë vetëm një pjesë të kësaj përvoje të vyer me vlera të jashtëzakonshme, duke ndikuar njëherazi edhe në promovimin e kësaj figure të shquar, e cila kudo që shkoi e shërbeu e përmendi me të madhe origjinën e tij si shqiptar…

Erik! Ju keni lindur dhe jeni rritur në SHBA dhe thoni se jeni shqiptar, ndërkohë që nuk e njihni gjuhën shqipe…

Jam shqiptar! Kjo për mua është krenari. Ca më tepër kur kam parasysh nënën time, vajzën e Libohovës që bëri emër në Amerikë. Nënës i dedikoj gjithçka në jetën dhe profesionin tim.

Çfarë veçoni më shumë nga vlerat e nënës tuaj, Nexhmije Zaimi? 

Ajo ishte një personalitet jashtëzakonisht i fortë. Edhe pse vetëm me një trup të pakët, ajo kishte shpirtin dhe zemrën e maleve shqiptare. Ishte gjithmonë e gatshme për të luftuar, e shpejtë për të vepruar dhe për të ndjerë dhimbjen e popujve të persekutuar. Një femër që e urrente gënjeshtrën dhe propagandën, aq sa urrente edhe njerëzit, që nuk flisnin hapur dhe që nuk thoshin atë që mendonin. Në Nju Jork ajo ishte një personalitet i njohur dhe shumë i admiruar. Një femër shumë e kërkuar në shoqëri, për sharmin dhe mënyrën tërheqëse të bisedës. Shtëpia jonë ka qenë gjithmonë e mbushur me intelektualë shqiptarë, shkrimtarë, poetë, diplomatë dhe studentë. Unë u rrita në një atmosferë të tillë kulturore, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në bisedat për politikën dhe historinë, se sa në bisedat për sportin. 

Të qenit shqiptare, a kishte të bënte në vendosmërinë e saj për të guxuar në pasqyrimin e së vërtetës, pavarësisht pasojave që mund të kishte?

Para se të kthehem në këtë përgjigje, që është shumë e spikatur në imazhin e nënës sime, desha të ndaloj paksa te brengat e saj.

Keqardhja më e madhe e nënës sime ishte që nuk kishte më shumë fëmijë dhe problemi me shikimin (kishte sëmundjen e tmerrshme të glaukomas, të cilën mjekët e kapën me vonesë). Sëmundja e syve e privonte nga mundësia për të punuar dhe për të shkruar një libër tjetër, pas atij që kishte botuar që në rininë e saj “Bija e shqiponjës”. Gjithsesi, ajo u përpoq me shumë mundim të shkruante dorëshkrime përmes ndihmës së xhamit të mrekullueshëm, derisa sëmundja e syve e bëri të ndalet. Gjatë kësaj periudhe të vështirë për shikimin ajo vazhdonte të dilte, të ishte e ftuar në takime kundër padrejtësive, ku kumtonte lirshëm dhe ndiqej me shumë vëmendje nga auditorë të ndryshëm. 
Nëna ime e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët si rrallë kush, por kohët e fundit u ndje e zhgënjyer me ngjarjet politike dhe egon e madhe të shqiptarëve, me të cilat u përball te “Vatra” në SHBA, për të cilën punoi për vite me radhë. “Egoja është kursi i Shqipërisë”, thoshte shpesh. Ndërkaq, në atë periudhë u ndje keq me ndonjë nga të afërmit e saj në Shqipëri. Shpesh ajo çonte lekë, veshje dhe ushqime, por ata gjithmonë kërkonin më shumë, ndoshta duke menduar se çdo njeri që jeton në Amerikë duhet të jetë shumë i pasur. Sigurisht që ajo nuk ishte e tillë, por kishte një apartament shumë elegant në Nju Jork, ishte shumë e kulturuar, dashuronte muzikën klasike, operën dhe teatrin. Edhe tek unë ushqeu dashurinë për muzikën, e madje më futi në një shkollë muzike. 

Nexhmije Zaimi ishte një femër e përparuar dhe i pëlqente të ishte e tillë. Që kur ishte vajzë në Tiranë mbante gjithmonë veshje të modës së fundit evropiane, duke u cilësuar si borgjeze. Në Nju Jork gjithmonë është veçuar për stilin e lartë. Ajo që është më e rëndësishme lidhet me faktin që edhe në atë kohë, kur femra konsiderohej jo shumë e arsimuar, ajo u shqua për aftësinë e saj në bisedat me meshkujt, duke shprehur një personalitet të lartë. Ajo mund të ecte nëpër një dhomë dhe menjëherë ta dominonte atë. Më e rëndësishmja dhe më tragjikja njëherazi, Nexhmija nuk mundi kurrë të kthehej për të punuar në Shqipëri. Ishte e drejtpërdrejtë në komunikim dhe e dashuronte të vërtetën, pavarësisht konsekuencave që vinin prej saj. 

Së fundi, edhe kur ishte në moshën 90-vjeçare, nëna ime ishte e mbushur me energji dhe pasion. “Unë jam një vajzë e re, brenda trupit të një plake”, thoshte ajo. Mendja e saj ishte aq e mprehtë, sa edhe në rini. Ajo mbeti luftarake. Ishte e dëshpëruar që unë nuk u martua dhe nuk kishte fëmijë. Ishte e dëshpëruar që shqiptarët nuk punuan së bashku për kombin e tyre. E dashuronte Nju Jork me shumë pasion dhe ndonëse ditët e fundit i kaloi në Santa Barbara, Kaliforni, e konsideronte veten njujorkeze. Ajo mbrojti Shqipërinë, Kosovën dhe vendet arabe deri ditën që vdiq. Dhe vdiq vetëm se trupi i saj i dobësuar nga sëmundjet perëndoi. “Zemra e saj, zemra shqiptare, ishte aq e fortë sa e një vajze”, do të thoshte mjeku…

Të kthehemi te karriera juaj profesionale. Njiheni si një nga reporterët më të guximshëm e objektiv në konfliktet rajonale. Diçka më konkrete nga përvoja juaj… 

Dy gjëra i kam visare të trashëguara nga nëna ime, Nexhmije: Së pari, ajo qysh në fëmini me edukoi me dashurinë e pastër për Shqipërinë. Tjetra, Nexhmija në një mënyrë krejt interesante më pasionoi që në rininë e hershme me profesionin e gazetarit për rreziqet dhe shpërblimet që të fal ky lloj profesioni i nderuar dhe shumë delikat. Pikërisht, në shërbim të këtij meraku që kishte nëna për të trashëguar profesionin e saj, kreva studimet e larta në “Georgetoën University” në Uashington, pastaj në universitetin e Nju Jorkut. Shkrimin e parë e kam botuar në vitin 1960 kur studioja në Zvicër. Pas tij pata disa botime në “Daily Gleaner” të Xhamajkës. Në shtypin amerikan fillova të botoj në vitin 1983, në faqet e opinioneve dhe editorialeve në “The New York Times” dhe më vonë në “International Herald Tribune”. Qysh në vitin 1983 kam rubrikën personale në gazetën “Toronto Sun” në Kanada, ndërkohë që vazhdojë si komentator i rregullt për CNN dhe disa nga stacionet e rëndësishme amerikane…

Për çfarë keni qenë i pranishëm në këto media të rëndësishme?

Më ka qëlluar që shpesh të bëjë reporterin nga fronti i luftimeve të ndryshme. Korrespodenti i frontit ka qenë pasioni im. Të bësh korrespodentin e luftës, duke raportuar nga vija e parë e betejave, do të thotë të jesh luftëtar dhe t’i kushtosh jetën profesionit. Ky është mësimi dhe amaneti më i rëndësishëm që kam marrë nga nëna ime, e cila një jetë të tëra iu kushtua këtij misioni, deri në çastet e fundit… 

Jeni njohur në Shqipëri me raportet dhe komentet që paralajmëruan dhunën dhe tragjedinë para shpërbërjes së Jugosllavisë?

Këtë e bëra me shumë dëshirë dhe profesionalizëm, pasi pashë fashizmin që fshihej që fjalorin e Milosheviçit në mitingun e Fushë Kosovës në vitin 1989. Ndodhi pas kësaj që shovinistët serb, të kërkojnë shpagim duke kërkuar të më zhdukin. Ndodhi disa herë kështu. Aq sa u detyrova të lajmëroj organet kompetente dhe të vë madje edhe bodigardë personal. Eshtë ky risku i gazetarit që guxon ta thotë hapur të vërtetën, ca më tepër kur bëhet fjalë për fatin e vëllezërve të tij të një gjaku…

A keni pasur kontakte me autoritetet zyrtare të shqiptare gjatë kohës së komunizmit?

Ka qenë viti 1985, viti kur vdiq diktatori Enver Hoxha, kur mora ftesën e parë nga përgjegjësi i sigurimit shqiptar i Misionit pranë OKB/së në Nju Jork. Ai, pasi ishte njohur me profesionin dhe përvojën time më tha se si shqiptar që isha duhej të bëja promovimin e Shqipërisë komuniste në median amerikane, madje më sugjeroi edhe objekte konkrete për shkrime të ndryshme. I thashë prerë se jam gazetar i pavarur dhe nuk marr nga askush urdhra për të shkruar. “Duhet të bësh çfarë të themi ne se ndryshe ke përgjegjësi të rëndë në Shqipëri ku ke edhe familjen”. E kuptova presionin dhe hipokrizinë e këtij komunisti tinëzar. Sa për kërcënimin ndaj meje dhe familjes i thashë se që nga ai moment do të njoftoja autoritetet amerikane të sigurisë. Si gazetar i thashë se kjo histori do të botohet në 400 gazeta të botës.

Jetëshkrimi
Kush është gazetari Erik Skënderbeg Margolis 


U lind në Nju Jork më 4 shkurt 1943. Ndoqi shkollën e muzikës dhe më vonë shkollën private në Nju Jork, e më pas shkollën ndërkombëtare në Gjenevë, Shkollën e Shërbimit të Huaj “Foreign Service School” në universitetin “Georgetown University” në Uashington DC, “New York University Graduate School”, si dhe universitetin e Gjenevës. Hyri vullnetar në ushtri gjatë luftës së Vietnamit dhe shërbeu për dy vjet. Pas kësaj shkoi në Xhamajka, ku punoi në projektet për zhvillimin e vendit. Më pas, u punësua në kabinetin e ish-presidentit Nikson, ku punoi për përgatitjen e fjalimeve të fushatën e dytë elektorale të tij. Në vitin 1975 punoi në Nju Jork, për Estee Lauder Internationl, në drejtimin e bizneseve të saj në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Nisi të shkruajë për gazetat në vitin 1982 fillimisht për “New York Times”, “Wall Street Journal”, e më vonë për “International Herald Tribune”, “Mainichi”(Tokyo), “Chicago Tribune”, “Los Angeles Times”, etj. Njëherazi, filloi të punojë edhe për TV dhe radio të ndryshme. Si korrespondent i luftës për kanalin mediatik “Canada’s Sun” ka mbuluar luftërat në Angola, Mozambik, Afrika e Jugut, Rodezia, Peru, Salvador, Nikaragua, Egjipt, Irak, Kashmir, Liban, Kurdistan, Afganistan. Kam mbuluar konfliktet në Lindjen e Mesme, Bashkimin Sovjetik, (duke përfshirë Kaukazin dhe Azinë Qendrore), Evropë, Kinë, Indi, Pakistan, Liban, Amerika Latine etj. Eshtë autor i disa librave. Qysh nga viti 1980 është komentator i përhershëm për çështjet e jashtme në kanalet televizive CNN, Fox, CBC, CTV dhe Britain’s Sky News TV. Anëtar i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve strategjike Londër, “Klubi kombëtar i shtypit, Uashington DC. Fitues i disa çmimeve, për 5 gazeta të kanalit kombëtar “Sun”, Kanada, për gazetën kryesore pakistaneze, “Dawn”; “Khaleej Times” – Dubai; “Gulf Times’’ –Qatar. Analist në internet në www. foreigncorrespondent.com. Drejtues i Jamieson Labs Ltd Kanada.

“Nëna më mësoi të mos tërhiqem, se jam shqiptar”

Në një mesazh për gazetën “Panorama”, Erik risjell një përjetim të veçantë nga bashkëjetesa me nënën e vet, për të cilën u ndje gjithë jetën krenar: “Kam ndjekur gjurmët e nënës sime, duke u fokusuar në zonat në konflikt dhe duke u përpjekur të mbroj dhunën e pakuptimtë te njerëzit. Kjo ka bërë që të mos jem shumë popullor, por gjithsesi ndjehem i përkushtuar në misionin për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e njeriut. Nëna ime më thoshte gjithmonë që të mos e njihja tërheqjen dhe të qëndroja pa u lëkundur edhe në situatën më të vështirë. “Kurrë mos e lër dikë të të mundë. Ti je shqiptar dhe shqiptarët janë luftëtarë”, më thoshte shpesh ajo, sidomos gjatë fëmijërisë. Një histori e bukur, kur unë isha 7 ose 8 vjeç: pesë djem më të mëdhenj se unë më vodhën gjithçka që mbaja në xhepa përdhunshëm. U ktheva në shtëpi i pezmatuar dhe i tregova nënës. U tmerrua! Përse nuk i qëllove? Ma preu me të parën. Pse nuk u ndeshe me ta?, shtoi e indinjuar. I thashë që jo, sepse isha një, kurse ata ishin shumë, nuk kisha mundësi. “Kjo nuk ka rëndësi. Ti je shqiptar dhe duhet të luftosh edhe nëse humbet”, ma ktheu ajo e vendosur në bindjen e saj. Gjithmonë i kam kujtuar këto fjalë dhe kurrë nuk jam tërhequr nga një ndeshje. Gjatë luftës së Kosovës, serbët në Toronto u përpoqën të më vrisnin, por unë vazhdova të shkruaj dhe të punoj për median. Profesioni i gazetarit është pak a shumë si ai i luftëtarit që thoshte nëna ime. Guximi, qëndresa dhe forca për ta thënë të vërtetën pa ndrojtje, janë ABC-ja e tij… 189844_196066440416834_4565846_n

49083

253759_216760581680753_3778487_n