“Valsi i Vdekjes”, libri ku flitet me nostalgji edhe për Libohovën

10007474_10201897230051634_24327604655997894_nEdhe pse po i afrohet moshës 70 vjeç, nuk e ka menduar të mos shkruaj e as të mos jetë i pranishëm në Facebook. Gati çdo ditë gjen një postim të ri në profilin e tij, një poezi, një tregim apo një shprehje të veçantë. Eshtë fjala për Festim Litin, i cili pas dy ditësh pret të promovojë librin e tij të dytë. Një botim me poezi, tregime dhe publiçistikë që vjen nën titullin “Valsi i Vdekjes”.

Liti tregon për Libohova Online se i është dashur rreth një vit për të seleksionuar dhe redaktuar këtë vëllim, i cili promovohet ditën e premte, datë 19 shtator në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Tiranë. Në libër ka përfshirë edhe një poezi me titullin “Libohova, dashuria e ime e përjetshme”, pasi lidhja e tij me Libohovën është e veçantë. Përveç faktit se nëna e tij është nga Libohova, Festim Liti ka studiuar tre vite të shkollës fillore në Libohvë. I kujton me nostalgji mësuesit e nderuar Nizamudin Bejleri, Rexho Xheja, Hasan Spahiu etj. Krahas kësaj në libër është edhe një tjetër poezi për Libohovën, që vjen nën titullin “Vetëflijimi i rrapit”.

Lidhur me titullin “Valsi i Vdekjes”, Liti e lidh me një ngjarje personale nga koha kur si shumë emigrantë shqiptarë i është dashur të kalojë ilegalisht kufijtë në kërkim të një jete më të mirë. Në vitin 1991, i ndodhur në kufirin mes Austrisë dhe Gjermanisë që ndahet nga lumi Danub, Liti për të shmangur rojet kufitare që ishin mbi urë, ndërmori hapin e rrezikshëm për të kaluar lumin me not. Fati ishte në anën e tij dhe ia doli të kalonte në anën tjetër të lumit. Atë moment çoi ndërmend valsin e famshëm “Valët e Danubit” të kompozitorit austriak Shtraus. Nisur nga kjo ngjarje dhe ky kompozim, ai e quan botimin e tij të dytë “Valsi i Vdekjes”. Si kjo dhe shumë poezi të tjera i gjeni në librin “Valsi i Vdekjes”, për të cilin ka shkruar parathënien Dr. Vili Minarolli.

Mekati im i parë

Dashuri e vjetër

Ku vallë degët i ke shtrirë,

Vallë ku i ke tretur?

Dhe që ta dish, moj e paharruar

Rrënjët tek unë të kanë mbetur…