Vangjel Tavo flet për herë të parë për shkarkimin e Ylli Muhos

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, në një intervistë të dhënë për gazetën SOT  ka komentuar ngjarjet e fundit politike dhe kryesisht protestën e opozitës në bulevardin përpara Kryeministrisë. I pyetur për marrëdhëniet PS-LSI në Gjirokastër dhe shkarkimin e nënkryetarit Ylli Muho, Tavo nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë, por merr në mbrojtje punën e kyebashkiakes Zamira Rami.

Si janë marrëdhëniet mes PS dhe LSI në Gjirokastër, pasi pak ditë më parë kryebashkiakja që përfaqëson partinë tuaj shkarkoi nga detyra nënkryetarin socialist?

“Marrëdhëniet midis LSI dhe PS në Gjirokastër janë të shkëlqyera. Ju kujtoj bashkëpunimin tejet të vyer dhe të rëndësishëm në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015, në të cilat PS ofroi një mbështetje tejet të madhe në zgjedhjen e kandidates të ASHE të propozuar nga LSI, znj. Zamira Rami. Si në qeverisjen qendrore ashtu edhe vendore, ne kemi punuar ngushtë dhe me efikasitet. Lëvizjet administrative nuk duhen parë asnjëherë nën optikën e përkatësisë politike pasi do ishte një qasje e gabuar. Bashkia e Gjirokastrës ka bërë një punë të shkëlqyer brenda këtyre pak viteve dhe shfrytëzoj këtë rast të vlerësoj bashkëpunimin profesional dhe në të mirë të qytetit të këshilltarëve të PS dhe LSI në këshillin bashkiak”, thote Tavo.

Lidhur me shkarkimin e Ylli Muhos, deri më tani kryebashkiakja Zamira Rami nuk ka dhënë asnjë përgjigje, edhe pse Muho hodhi akuza të ashpra ndaj saj.