Vdes në një aksident tragjik biznesmeni nga Gjirokastra

Dy të vdekur është bilanci i një aksidenti tragjik mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Vaqarr – Ndroq.

Tvklan.al ka mundur të mësojë identitetin e dy të viktimave që humbën jetën në aksident.

Ata janë Athanas Xhavara 45 vjeç nga Gjirokastra dhe Edison Sefa 22 vjeç nga Tirana. Burimet policore bëjnë me dije se 45-vjeçari Xhavara drejtonte makinën tip Toyota me targa AA 757 DZ kurse 22-vjeçari nga Tirana ishte drejtuesi i mjetit tip Benz me targa Tr 1432 U.

Aksidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 23:25 mbrëmë tek “kthesa e Arbanës”.

Paraprakisht mësohet se shkak i aksidentit është bërë lagështira në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Athanas Xhavara 45 vjeç është biznesmeni që humbi jetën në aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:25 tek “kthesa e Arbanës” në aksin rrugor Vaqarr – Ndroq.

Tvklan.al ka mësuar se 45-vjeçari nga Gjirokastra është pronar i tre kompanive. Bizneset e Xhavarës janë të përqëndruara në fushën e sigurimit të objekteve publike dhe private; riciklim; eksport-import dhe tregtimin me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshëm.

Sipas burimeve nga blutë e Policisë së Tiranës, në momentin kur ndodhi aksidenti, biznesmeni Xhavara po kthehej nga Pezë-Helmesi, ku ndodhet biznesi i tij i riciklimit në kompaninë “HXH”.

Automjeti i tij Toyota me targa AA 757 DZ u përplas kokë më kokë me automjetin Mercedes-Benz me targa TR 1432U që drejtohej nga i riu Edison Sefa 22 vjeç nga Tirana.

Përplasja ka qenë fatale për të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët humbën jetën menjëherë. Sipas të dhënave paraprake hetimore, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë dhe lagështira në rrugë.