Virusi “Ebola”, merren masa në Kakavijë. Gati karantina në spitalin e Gjirokastrës

d6132ed08a8ec0ad7bc09f512e259ccfEdhe pse zyrtarisht në vendin tonë nuk janë konstatuar persona të infektuar nga virusi “Ebola”, autoritetet shëndetësore kanë nisur të marrin masat. Konkretisht sot, Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër bëri një inspektim në qendrën shëndetësore në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku ndër të tjera shpërndau edhe materiale informuese për virusin “Ebola”.

Kakavija është një pikë hyrje-dalje e personave nga vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe nga vendet afrikane, aty ku ky virus u konstatua për herë të parë. Për momentin situata vlerësohet e qetë, garantojnë autoritetet e shëndetit publik. Por ndërkohë janë marrë masat edhe në spitalin rajonal “Omer Nishani”, ku është krijuar një dhomë e posaçme karantine, në të cilën do të izolohen personat e infektuar nga virusi vdekjeprurës.

“Ebola” është një virus që në momentin e parë shfaqet si një grip i zakonshëm, me temperaturë, dhimbje barku etj, por që më pas mund të jetë fatal për jetën, siç ka ndodhur deri më tani në vendet ku është konstatuar. Epidemia “Ebola”, konsiderohet si njëra prej epidemive më të rrezikshme dhe e cila është përhapur me të madhe në disa vende të Afrikës Perëndimore. Origjina e virusit është e panjohur, por sipas të dhënave të deritanishme, lakuriqët e pemëve janë rezervuar të virusit.

Sëmundja për herë të parë është lajmëruar në vitin 1976 në provincën ekuatoriale të Zaires, 350 km larg nga Sudani.Sëmundja karakterizohej me shpërthim të vrullshëm dhe rrjedhë fatale për shkak të infeksionit brenda spitalor të një numri të pacientëve me anë të shiringave të kontaminuara me virus (e njëjta shiringë është përdorur te disa pacientë).