Viti i Ri 2017, një mesazh urimi nga kryebashkiakja e Libohovës (VIDEO)

Në prag të ndërrimit të viteve, kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi ka shpërndarë një mesazh urimi në faqen e saj në Facebook.

Mandi uron qytetarët për një vit të ri të mbarë, si dhe thekson se edhe gjatë vitit 2017 Bashkia Libohovë do të vijojë punën për realizimin e të tjera projekteve dhe investimeve.

Më poshtë mesazhi i plotë i saj.

Të dashur bashkëqytetarë,

Motra dhe vëllezër libohovitë,

Në vend të një kartoline, dëshiroj të përcjell urimet e mia për Vitin e Ri 2017 përmes këtij video-mesazhi. Qoftë ky një vit i mbarë dhe i begatë për ju, familjen tuaj, të afërmit e miqtë tuaj. Shpresoj që ky vit i ri të jetë më i mirë se ai që lamë pas, me më tepër gëzim, realizime dëshirash, punë dhe mbi të gjitha të kemi shëndetin.

Një vit nuk mund të ndryshojë nga tjetri, nëse ju vetë nuk keni ndryshuar diçka në jetën tuaj, nëse ne nuk kemi ndryshuar diçka për mirë. Unë besoj se gjatë vitit që lamë pas kemi bërë punë të mira në Libohovë dhe fshatrat përreth, për të lehtësuar dhe përmirësuar jetesën e banorëve.

Po njësoj dhe përgjatë 2017-s do të vazhdojmë me investimet në infrastrukturë, bujqësi e turizëm duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Libohovës. Jam e vetëdijshme për problematikat e shumta që kemi në zonë, por edhe për pritshmëritë e larta që ju keni tek unë.

Prandaj dua të dini se ju jam shumë mirënjohëse për inkurajimin e madh që më jepni çdo ditë, në përpjekjen për të vënë në jetë zotimet dhe angazhimet që kam marrë si kryebashkiake e Libohovës. Nuk duhet të harrojmë se gjërat që na bashkojnë janë më të shumta sesa ato që na ndajnë, aq më tepër kur është fjala për Libohovën, të tashmen dhe të ardhmen e saj, të cilën e kemi në dorë të gjithë bashkë.

Ju uroj ditë të bardha dhe të lumtura për vitin 2017. Por edhe nëse do të kemi ditë të vështira, është e sigurt që do të jemi sërish të gjithë bashkë.

Për shumë vjet gëzuar!