Viti i ri akademik, kryebashkiakja Mandi uron studentët e Libohovës

Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi ka bërë një urim për studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik.

Në mesazhin e shkurtër shpërndarë përmes faqes së saj në Facebook, ajo thekson në mënyrë të veçantë edhe traditën arsimdashëse të Libohovës, traditë thotë Mandi, që duhet vazhduar më tej.

“Me rastin e nisjes së vitit të ri akademik dëshiroj të shpreh urimet më të mira të gjithë studentëve dhe pedagogëve. Në mënyrë të veçantë përshëndes të rinjtë e Libohovës që sot i bashkohen shumë të tjerëve, të cilët ndër vite kanë ndjekur studimet e larta brenda dhe jashtë vendit. Historikisht Libohova, Zagoria dhe gjithë zona jonë ka qenë vatër e rëndësishme a arsimit dhe kulturës. Na takon të gjithëve ta vazhdojmë më tej këtë traditë, por edhe të kontribuojmë me mënyrën tonë në të mirë të Libohovës, Zagories, Nepravishtës, Labovës dhe gjithë zonës”, shkruan kryebashkiakja.