Vjedhja e BSH, ish-Guvernatori dhe Kryeinspektorja mbeten në burg

136-1024x561Gjykata e Tiranës i konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Të njëjtën masë sigurie dha gjykata edhe për kryeinspektoren Elivar Golemi në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ardian Fullani dhe Elivar Golemi u paraqitën të dielën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë për t’u njohur me masën e sigurisë që kjo gjykatë kishte caktuar për ta dy ditë më parë.

Automjeti i policisë me dy të pandehurit VIP doli rreth orës 11.00 të paradites nga godina e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për t’iu drejtuar godinës së gjykatës. Guvernatori i prangosur u shoqërua nga forcat e policisë drejt sallës së gjyqit.

Seanca për njohjen me masën e sigurisë për të u zhvillua e para dhe më pas ajo e zonjës Golemi. Gjyqi për zotin Fullani zgjati vetëm për pak minuta me prezencë të medias për shkak se vetë prokurori i çështjes kërkoi që mediat të linin sallën. Pas guvernatorit është zhvilluar edhe seanca e inspektores së përgjitshme.

Pasi i ka dëgjuar palët dhe pretendimet e tyre, gjyqtarja Blerina Muçi është tërhequr për të dhënë vendimin për dy të akuzuarit. Avokatët mbrojtës dhe dy të akuzuarit janë duke pritur në ambientet e Gjykatës deri në dhënien e një vendimi që pritet të jepet për pak minuta.