Vrasja e Dorian Llukës, Gjykata e Gjirokastrës lë në burg dy të rinjtë që nuk kallëzuan krimin

Gjykata GjirokasterGjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka dhënë sot masën e sigurisë për dy personat e arrestuar si dëshmitarë në vrasjen e të riut Dorian Lluka dhe plagosjen e vëllait të tij, Birbil Lluka. Emiljano Vocka, 23 vjeç nga fshati Humelicë dhe Samuel Jaçe, 29 vjeç nga Gjirokastra, do të mbeten në “arrest me burg”.

Sipas policisë këta dy shtetas janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos njoftuar për krimin. Fillimisht policia arrestoi Emiljano Vockën, i cili dyshohet se mund t’i ketë dhënë pistoletën Enerik Llukës.

Ky i fundit dyshohet të jetë autori i vrasjes. Që prej ditës së hënë ai ndodhet në arrati. Policia vijon operacionin për kapjen e tij. Të dhëna nga grupi hetimor thonë se shkak i konfliktit ka qenë një borxh prej 500 mijë lekësh që viktima i ka kërkuar autorit të dyshuar, Enerik Lluka.

Vrasja tronditi  opinionin publik në Gjirokastër. Autori i dyshuar dhe viktimat ishin kushërinj të dytë me njëri-tjetrin. Mendohet se Enerik Lluka fshihet në zonat malore mes Gjirokastrës dhe Tepelenës.

|Libohova Online|