Vrasja në Gjirokastër, arrestohet autori i dyshuar. Konflikti për çështje pronësie

60-vjeçari Andrea Xhavarra humbi jetën mbrëmjen e djeshme pasi u konfliktua me një bashkëfshatar të tij në fshatin Labovë e Zhapës në Gjirokastër. Libohova Online mëson se autori Jano Koleta, i cili u ndalua në banesë menjëherë pas ngjarjes, e ka qëlluar me gur në kokë viktimën në debat e sipër. Më pas ai është përpjekur ta ndihmojë por goditja rezultoi fatale. Debati mes tyre dyshohet se kishte motive pronësie ndërsa ka ndodhur në prani të disa dëshmitarëve. Policia ndërkohë shoqëroi mbrëmë edhe 4 persona të tjerë që e kanë parë ngjarjen. Mëngjesin e sotëm njoftoi arrestimin e autorit të dyshuar, Jano Koleta.

Njoftimi i policisë Gjirokastër

Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.06.2020, në fshatin Labovë e Zhapës, ku humbi jetën 60-vjeçari A. Xh. Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. Xh.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Labovë e Zhapës, ku pas një konflikti mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi A. Xh., 60 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit në kohë reale, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. K., për veprën penale “Vrasja me dashje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.