Vrasja në Gjirokastër, për një borxh 500 mijë lekë. Mister personi që i çoi në spital

makina 3Vrasja e Dorian Llukës erdhi pas konfliktit për një borxh. Burime jozyrtare thonë për gazetën Panorama se mbi 500 mijë lekë ishte në borxh Endrik Lluka te dy vëllezërit, Dorian dhe Birbil Lluka, kushërinj të tij.

Krimi ndodhi pasditen e së martës, përgjatë rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë dhe autori 28-vjeçar nuk është arrestuar ende.

Në pranga kanë rënë vetëm dy persona, miq të të kërkuarit, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. Njëri prej tyre u arrestua pak orë pas ngjarjes, Emiliano Vocka, 23 vjeç, ndërsa Samuel Jaçe, 29 vjeç, u prangos ditën e djeshme. Për Policinë, dy të arrestuarit kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë Dorian Lluka dhe u plagos rëndë i vëllai, Birbili.

Por si Jaçe, edhe Vocka kanë mohuar që të kenë qenë prezentë në momentin e krimit. Kjo ka bërë që grupi hetimor të nxjerrë konkluzionet paraprake për ngjarjen, në bazë të dëshmive nga familjarë dhe të njohur të palëve në konflikt. Fillimisht u dha si pistë kryesore ajo e një konflikti pronësie, por duket se krimi ka të bëjë me një shumë parash të pakthyera.

Nga të dhënat rezulton se dy vëllezërit Lluka kanë qenë të parët, të cilët kanë provokuar konfliktin. Në kryqëzimin që ndan aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë me fshatin Humelicë në perëndim dhe fshatin Andon Poci në lindje, ata janë ndeshur me Endrik Llukën.

Të dyja palët ndodheshin me makina. Në moment, pasi kanë ndaluar, dy vëllezërit dyshohet se i kanë kërkuar paratë e borxhit Endrik Llukës.
Në debat e sipër, dy vëllezërit akuzohen se e kanë kërcënuar me thikë 28- vjeçarin. Ky i fundit ka mundur t’u shpëtojë nga duart dy vëllezërve dhe ka hyrë brenda në makinën e tij, nga pjesa e pasagjerit, ku ka rrëmbyer pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllezërve.

Këta të fundit gjendeshin ngjitur me makinën e Endrikut dhe aty ngelën të gjakosur. Policia konfirmon se makina e zezë “Benz” e gjetur në
vendngjarje është e autorit të krimit. Ndërsa dy vëllezërit kanë qenë me një tjetër mjet, me të cilin dikush i ka transportuar drejt spitalit. Ngelet mister se kush ka qenë personi që ka marrë nën kontroll makinën e viktimave duke i shoqëruar ata në gjendje të rëndë drejt spitalit të
Gjirokastrës.
I gjendur nën panik, agresori Endrik Lluka është larguar menjëherë nga vendngjarja, duke lënë pas automjetin e tij “Mercedec Benz” në vendin ku ngelën të gjakosur vëllezërit Lluka. Dëshmitarët okularë pohojnë se Endriku është larguar në drejtim të fshatit Andon Poci ku mendohet se strehohet në zonën e pyllëzuar malore të krahinës së Odries, në kufi me Tepelenën.
Ndërkohë që Samuel Jaçe dhe Emiliano Vocka, sipas Policisë së Gjirokastrës, kanë parë gjithçka nga ngjarja e ndodhur dhe e kanë mbajtur të fshehtë, derisa uniformat blu i kanë prangosur mesditën e së mërkurës./Panorama