Zagoria meriton më shumë vëmendje…

zagoriaNga Qirjako Kasapi

Ky është përfundimi që mund të nxjerrësh nga  një vështrim i vëmëndshëm i realitetit historik të zhvillimit jetësor nga treva patriotike e zagories ku banorët e saj kanë mbijetuar dhe po përshtaten në realitetin e sotëm me sakrifica të natyrave të ndryshme fal madhështisë së karakterit të tyre tepër dinjitoz.

Zagoria e kurbetit , e luftës  dhe punës…

E kaluara e të parëve të tyre flet për një emigracion të hershëm në fund Shek. tëXVIII dhe fillimin e shek. XIX në Europë , Amerikë , Kanada, Argjentinë e gjetkë. Sipas hulumtimeve të ndryshme mëson se rreth 16.000 – 18000 banorë me origjinë nga Zagoria gjënden sot të emigruar nëpër botë.Ikën bijtë e saj për një jetë më të mirë duke u ndarë me lotë në sy  me njerëzit më të dashur të familjes, për tu takuar me ta në rastin më të mire pas 20- 25 vjetëve apo në raste të tjera fatkeqe trupi i tyre do të tretej në dhe të huaj larg lamtumirës që meritonin të mernin nga familja e madhe zagorite. Lutjet tek perëndia dhe besimi tek zoti ishin ngushëllimi i vetëm i vazhdimësisë të asaj jete të hidhur .Kujtojmë këtu se për një jetë më të mirë emigroi hoshtevjati Jano Kostëgjika në Montreal të Kanadasë më 1934 kur ishte 39 vjeç duke lënë pas bashkëshorten Varvara dhe fëmijtë Polo ,Ollga dhe Katerinën përkatësisht  11, 7dhe 5 vjeç dhe u kthye në atdhe më 1958 pas 24 vjetevë i rrethuar nga 13 nipër e mbesa. Por ky fat nuk ishte i tillë për kunatin e tij Qiro Pepe që emigroi në Kanada në vitin 1921 dhe fatkeqësisht ndëroi jetë më 1923 në moshën 35 vjeçare, duke lënë jetime vajzën e vogël, Zogon dhe në pikëllim bashkëshorten e tij të re Nero Pepe e cila nuk pati mundësinë as ta qajë trupin e tij, i cili u tret në dhe të huaj .Shëmbuj të tillë do gjesh në memorjen historike të kësaj krahine si pjesë e dhimbjes së shpirtit të saj  që mundi të mbijetojë.

Kontributi patriotik i zagoritëve…

Duhet thënë se ata zagoritë që u kthyen nga kurbeti sollën në këtë krahinë  kulturën dhe qytetërimin . Ata ishin ndërkohë personalitete të shquara që ndikuan në rritjen e ndërgjegjes dhe ndjenjës atdhetare kombëtare në vitet para e pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kujtojmë këtu kontributin e antarit të K. Q. të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Mihal Harito, atdhetarin dhe poetin e  rilindjes A.Z.Çajupi, firmëtarin e pavarësie shqiptare zagoritin Aristidh Ruci e të tjerë.. Ikja masive në kurbet nga kjo  krahinë solli gjithashtu dhe zhvillimin e këtij vënbanimi..Po ashtu fshatrat me shtëpitë karakteristike zagorite u bënë të tilla fal përkushtimit të bijve të saj që u ndërtuan në shumicën e tyre si vila dy katshe në shumë raste me gurë të gdhëndur e të mbuluara me rrasa guri të zezë duke rruajtur kështu trashëgiminë e tyre të veçantë. Rrugët e shtruara  me kalldrëm kupastërtia dhe mirëmbajtja e tyre në çdo fshat ishte parësore tregonte kështu kulturën e banorëve të saj.Duhet thënë se gjatë Luftës Nacional- Çlirimtare më shumë se 136 bij të saj u rreshtuan në formacionet partizane. Banorët e kësaj krahine përkrahën pa rezerva lëvizjen çlirimtare kundër okupatorëve nazifashistë.“Heroi i Popullit” Themo Vasi dhe 17 dëshmorët e nderuar  që dhanë jetën në lulen e rinisë për lirinë e atdheut formojnë kurorën e lavdisë dhe të krenarisë zagorite. Pas çlirimit të vëndit u ndërtua shkolla e mesme bujqësore në Nivan dhe më shumë se 235  shtëpi të reja, u hapën dy shkollat 7 vjeçare të saj në Zhej dhe Sheper, si dhe u ndërtuan veprat e domosdoshme social kulturore.. Po ashtu u çelën toka të reja, dhe veprat ujitëse, që ndikuan në marrjen e kënaqshme të  prodhimeve bujqësore dhe blegtorale .Por kjo zonë e pasur me resurse natyrore dhe intelektuale u përfshi në ikje për një jetë më të mirë për tu shmangur nga skamja dhe pa siguria e pas viteve 1990 të bijve të saj.

Kurbeti në këngët  Zagorite…

Nga memorja historike le të kujtojmë se vajet e kurbetit u përcollën nëpër breza për tu  kënduar në këngën më të njëjtin titull të shkruar nga talenti I poetes Vasilika Vasi e të interpretuar nga ikona e këngës zagorite Tefta Duda dhe më pas Vasilika Mboqe në F.F.K. më 1973. Kjo ndjenjë e shpirtit krijues e transmetues të folkut brilant zagorit përcillet me nostalgji dhe shpirt krijues dhe në ditët tona. Kurbeti sot mbetet një plagë që akoma nuk është mbyllur por kullon lot malli e dëshpërimi të bijve zagoritë për vëndlindjen dhe atdheun e tyre për të cilën ndjehen krenar.Dhe kënga e“ Kurbetit“ me tekstin e zgjedhur të poetit të ndjerë Jorgo Telo ; “ Çështë o zot kjo ikje e madhe , ky mërgim pa fre/ mëmëdhe të sosi ikja drejt kurbeteve/ Duro zemër , zemër ngrata,  shpresa nuk na le/ kthehuni o bij tek vatra , mjaft më pa atdhe.”u prezantua me një nivel të lartë artistik nga zëri melodioz i zagorites Mimoza Duda ( Kosturi) dhe grupi polifonik që e shoqëroi pikërisht në 150 vjetorin e lindjes të poetit rilindas A.Z.Çajupi më 27.3.2016 , sikurse dhe kënga kushtuar Zagories. Adrenalina që përcjell pena mjaltuese e zagoritit Spiro Dede në këtë këngë shpërthen në vargjet lapidare ;“ Vjen si mall e vjen si ëndërr,zëri iëmbël mëmësie / Nabekon paçi uratën,zëri i saj prej perëndie/ Zagoria , Zagoria /Dritë e udhëve të mija,/ Nga do shkoj të marr me vete / Ëndër nëpër kontinente.Kthehen të malluar zagoritët në pushimet e verës apo në ditët e shënuara fetare për të festuar në vëndlindjen e tyre. Ata merren me rregullimin e shtëpive ekzistuse apo ka prej tyre që po ndërtojnë dhe shtëpi të reja si për të na kujtuar se e ardhmja mbetet vëndlindja e tyre zagorite. Ata nuk mund ta  braktisin përfundimisht atdheun.  Ata thjesht sjellin me vete një muze të vogël me kujtimet e një jete të vështirë në kurbet duke ruajtur gjithashtu traditat, vlerat dhe zakonet më të mira zagorite.. E megjithatë ka patur zagoritë që me dëshirën e mire janë kthyer nëvend lindje për të jetuar e të shgënjyer nga realiteti që kanë gjetur ata përsëri kanë emigruar. Ndërkohë ka të tjerë që janë kthyer për tu përkushtuar më tepër në blegtori e punët e  stinës pranë fshatrave të tyre..

Më shumë vëmëndje që zagoritët të mos vazhdojnë të emigrojnë..

Por ajo që duhet theksuar është fakti se persektiva mbetet e zymtë. Kështu optimizmi nuk e ushqen sa duhet shpresën për një të ardhme të sigurt atje ku tokat dhe shtëpitë e tyre janë braktisur ashtu si të parët e tyre në më shumë se një shekull më parë. Në këto kushte kurbeti mbetet alternativa e imponuar për banorët e Zagories.Objektet social – kulturore dhe përmirësimi i cilësisë së jetës për banorët e saj do të ishin të mirëpritura dhe do të krijonin premisat e kthimit të tyre  pranë saj. Zagoritët , këta njerëz puntorë , mikpritës dhe të kulturuar meritojnë të dëgjohen dhe respektohen. Po kështu Zagoria ka shumë objekte të kultit apo arkeologjike dhe fakte historike me vlera për tu vizituar .Ai vënd i mbrekullushën klimaterik dhe turistik sot frekuentohet më shumë nga vizitorë të huaj nëpërmjet guidave ditore  pa përjashtuar dhe ata vëndas.. Për sa më sipër politikat financiare qeveritare duhet të jenë më të ndjeshme ndaj kësaj treve që po vuan akoma kurbetin e trashëguar nga të parët e tyre një shekull më parë.. Kjo ndoshta do të ishte për momentin një thirrje mbarëshqiptare jo vetëm për Zagorien por dhe për zona të tjera banimi  kudo në Shqipëri ku problematika e prezantuar është e ngjashme me të. Një projekt strategji e zhvillimit afatshkurtër duhet ta finalizojë këtë mundësi. E ndoshta e artikuluar me gojën e poetit rilindas A. Z. Çajupi para një shekulli ky sensibilizim do të përkthehej në amanetin e tij për të mos e lëshuar Atdheun. Kujtojmë këtu vargjet brilante tëtij ;“Mëmëdheu.”që kushdo i ka në vetëdijen e tij. Për rrjedhojë delegimi i votës që komuniteti zagorit i besoi të zgjedhurve të tij në nivel qëndror dhe atë lokal kërkon zgjimin e kësaj ndjenje ku vetëdia nënkupton pikërishtm bajtjen dhe realizimin e premtimeve të dhëna…/kohajone