Zamira Rami ikën me PS-në? Kryebashkiakja e Gjirokastrës sqaron përse shkoi në takimin e Kryeministrit

Një ditë më parë Zamira Rami mori pjesë në takimin e llogaridhënies së Edi Ramës në Gjirokastër, duke u shmangur kështu nga qëndrimi zyrtar i partive të opozitës, PD dhe LSI, pjesë e së cilës ajo është. Në media u aludua për një kalim të mundshëm të saj drejt PS-së, në këmbim të një rikandimimi në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por sot kryebashkiakja e Gjirokastrës ka reaguar përmes një deklarate, ku sqaron pjesëmarrjen e saj në atë takim. Më poshtë deklarata e plotë.

Të dashur bashkëqytetarë. Këto ditë kemi mysafir në Gjirokastër Kryeministrin e Shqipërisë dhe kabinetin e tij. Personalisht e quaj tepër të rëndësishme vëmendjen e tyre ndaj Bashkisë tonë pasi jo vetëm në kushtet e sotme, por gjithmonë, bashkëpunimi midis pushtetit qëndror dhe atij vendor, është vendimtar për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së komunitetit.

Personalisht kam ardhur në postin e Kryetares së Bashkisë si propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe politikisht jam dhe do të jem pjesë e kësaj force, por mbi interesat politike unë kam marrë përsipër për të drejtuar Bashkinë, mbi interesat partiake unë kam vendosur dashurinë dhe përgjegjësinë për Gjirokastrën. Nga ana tjetër mendoj se nuk ka asgjë të keqe të përballesh me problemet e njerëzve dhe kur këtë e bëjnë bashkë, njëkohësisht të dy pushtetet nuk lënë vend për hamendje tek njerëzit, prandaj për këtë e falënderoj Kryeministrin që më ftoi të jem pjesë e panelit të llogaridhënies. Çfarë të mire do të kishte Bashkia dhe komuniteti i saj nëse unë do të sillesha ndryshe? Unë jam e qartë në veprimet e mia prandaj për të shuar të gjitha hamendjet e ngritura në disa media mbi takimet dhe të gjithë qëndrimin tim gjatë turit të Kryeministrit dhe Kabinetit Qeveritar, sqaroj se ato kanë të bëjnë, së pari me mikpritjen Gjirokastrite ku mysafiri nderohet dhe nuk i kthehen krahët dhe së dyti sepse vlerësoj se nuk ka më të rëndësishme se vëmendja e Qeverisë ndaj Gjirokastrës. Të gjitha hamendjet e tjera nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim. Ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë!