Zamira Rami “merr me vete” edhe faqen në Facebook të Prefektit

faceKush ka tentuar ditët e fudnit të vizitojë profilin në Facebook të Prefekturës së Gjirokastrës, ka parë ndryshimin e emrit të faqes. Prefektja Zamira Rami, me zyrtarizimin si kandidate e LSI-së për Bashkinë Gjirokastër, ka përvetësuar edhe faqen që deri më tani ka qenë e institucionit.

Faqja mbante emrin “Prefekti i Qarkut Gjirokastër” dhe shërbente për të pasqyruar në rrjetin social Facebook aktivitete të institucionit të Prefekturës. Por së fundimi, emri i faqes është ndryshuar në “Zamira Rami Faqja Zyrtare”. Me siguri që diçka të tillë duhet ta kenë bërë ata që punojnë me kandidaten Rami.

Në vend që t’i krijonin një faqe të re, i kanë rënë shkurt duke shfrytëzuar audiencën e faqes ekzistuese, por me një emër të ndryshuar. Faktikisht, një faqe që deri më tani i ka shërbyer institucionit të Prefektit të Qarkut Gjirokastës, nuk duhet vënë në shërbim të kandidatit të një subjekti, cilido qoftë ai.

Institucioni i është i të gjithëve dhe nuk duhet ngatërruar me subjektin politik që përfaqëson Prefekti. Përveç fushatës në terren kandidatët kanë edhe një betejë të madhe online, por janë të paktë ata që kanë në stafin e tyre specialistë të komunikimit online.