Zamira Rami: Projektet, kam mbështetjen e qeverisë për ta tjetërsuar Gjirokastrën time

1607132_1596981567246877_3949352147355671562_nZamira Rami e njeh Gjirokastrën me pëllëmbë. E lindur dhe e rritur në këtë qytet, ajo ka kontribuar për të. Kandidatja e ASHR-së, Zamira Rami, kur flet për qytetin e saj, dallohet dëshira që ka për ta tjetërsuar. Për t’i dhënë fuqi turizmit, për të lidhur fshatrat me qytetin, për të përmirësuar jetën e fëmijëve, por edhe të çdo qytetari të zonës. Ndërkaq, programi ambicioz duket se do të realizohet pasi në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, ajo thotë se ka mbështetjen e shumë ministrave për të bërë punë konkrete në këtë qytet.

Ju jeni kandidate e koalicionit të majtë, cilat janë projektet tuaja për tjetërsimin e qytetit të Gjirokastrës?
Projektet që do të zbatohen gjatë 4 viteve të ardhshme në Bashkinë e re të Gjirokastrës janë të shumta. Por ajo që vlen të theksohet është fakti se të gjitha këto projekte janë të prekshme dhe të realizueshme. Do të nis së pari me turizmin, pasi kjo fushë është prioritare për zhvillimin ekonomik të zonës dhe do të gjenerojë vende të reja pune. Janë gati dy projekte, ndërhyrja për restaurimin e fasadave në zonën muzeale të Gjirokastrës dhe by-passi që kalon në pjesën karakteristike të qytetit. Projektet për punësimin përmes nxitjes së turizmit, zhvillimit të bujqësisë dhe lehtësimit të taksave për bizneset e vogla. Projektet për infrastrukturën në fshatra, në mënyrë që të humbasin dallimet ndërmjet qytetit dhe fshatit, si dhe për nevojat emergjente që komunitetet kanë, duke filluar nga rrugët, ndriçimi publik, sistemet e vaditjes etj. Rikonstruksione të qendrave shëndetësore dhe godinave të arsimit parauniversitar.
Ju keni tashmë një program konkret për të realizuar në zonë, kush ju ka ndihmuar për realizimin e tij?
Për hartimin e programit është punuar për një kohë jo të shkurtër. Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoja me specialistë të të gjitha fushave, të cilët dëshiroj t’i falenderoj për të gjitha idetë e çmuara që më kanë dhënë e që tani janë pjesë e programit. Tjetër mbështetje kanë qenë grupet e interesit, që në takimet e zhvilluara më kanë shprehur shqetësimet, por edhe mendime sesi gjërat mund të bëhen më mirë. Programi im mbledh në vetvete të gjitha këto mendime, sepse nuk mund të prezantonim para komunitetit një platformë joreale dhe të pabesueshme. Pikërisht ndërthurja e mendimeve të specialistëve vendës, mbështetur mbi statusin e UNESKO-s që qyteti gëzon ka sjellë një projekt gjithëpërfshirës e që shumë shpejt do të pasohet nga strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm të Bashkisë Gjirokastër.
Bashkisë së Gjirokastrës i bashkohen edhe 6 komuna me reformën e re territoriale, çfarë problemesh keni hasur nga bashkëbisedimi me ata banorë?
Gjatë bashkëbisedimeve që kam më të gjithë banorët, thuajse në të gjitha fshatrat që i shtohen Bashkisë së re të Gjirokastrës më kanë ngritur tri shqetësime kryesore: mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e infrastrukturës rrugore dhe mungesën e energjisë elektrike. Por problematika në këto zona është shumë e gjerë. Një tjetër shqetësim është ai i mosfunksionimit të kanaleve vaditëse, ndotja e ambientit, rregullimi i qendrave shëndetësore, përmirësimi i kushteve në institucionet shkollore. Këto janë pak a shumë shqetësime që i gjen mes të gjithë banorëve, ndërkohë që sipas specifikave që kanë këto zona, ka edhe probleme të tjera.
Keni ndonjë projekt konkret për përmirësimin e jetës në këto fshatra?
Janë disa projekte në fakt, të cilat janë hartuar dhe që synojnë së pari të zbusin ndryshimet sidomos në infrastrukturë mes qytetit të Gjirokastrës dhe këtyre zonave. Integrimi i plotë dhe njehsimi urban është një projekt afatgjatë, që do të vijë gradualisht pas realizimit të projekteve afatshkurta dhe afatmesme. Për të arritur zhvillimin e zonave rurale, së pari do të ndërhyjmë në infrastrukturën rrugore. Nga konstatimet e mia në terren, kam vënë re se janë të shumtë fshatrat që edhe pse ndodhen fare pranë rrugëve kombëtare, kanë segmente të amortizuara dhe ku nuk është ndërhyrë prej vitesh. Kemi rastin e fshatrave Prongji e Çepunë në komunën Cepo, fshatin Hundëkuq në komunën Odrie apo fshati Shtëpëz në komunën Picar. Projektet tona në infrastrukturë në këto zona janë: Krijimi i unazës lidhëse në të gjithë territorin e Bashkisë Gjirokastër. Lidhja e komunave Antigone e Lunxhëri, përmes segmentit Tranoshishtë-Qestorat. Lidhja e komunave Lunxhëri e Odrie përmes segmentit Karjan-Andon Poçi. Ndërhyrja në infrastrukturën rrugore në komunat Picar e sidomos Cepo, ku nuk ka pasur thuajse asnjë investim në pjesën më të madhe të fshatrave. Vendosja në funksion e gjithë sistemit vaditës, që do të shtojë prodhimin e produkteve bujqësore. Realizimi tërësor për çdo cep të territorit i projekteve për ujësjellësit, ndriçimin publik dhe sistemin e pastrimit. Pas infrastrukturës rrugore, këta janë 3 elementët kryesorë që mungojnë dhe që i kam hasur në çdo takim.
Çfarë parashikoni në programin tuaj për bujqësinë?
E përmenda edhe pak më lart, ndërhyrja në infrastrukturë do të jetë prioritare, pasi rruga, komunikimi, lehtësimi i lëvizjeve sjell në vetvete zhvillim. Banorët e të gjitha zonave përreth Gjirokastrës do ta kenë më të lehtë të tregtojnë prodhimet e tyre bujqësore e blektorale. Por sigurisht, këto ndërhyrje do të shoqërohen edhe me zbatimin e të tjera projekteve si, vënia në funksion e sistemeve vaditëse, mbështetja e nismave për ngritjen e linjave përpunuese të produkteve blektorale, të cilat janë të kërkuara dhe të njohura në të gjithë vendin. Mbështetja e linjave përpunuese për prodhimin e verës, rakisë, etj. Këto janë iniciativa që kanë rezultuar të suksesshme për ata fermerë e blektorë që i kanë ndërmarrë, ndaj mendoj se sigurimi i infrastrukturës së duhur, mbështetja me fonde nga fondi i zhvillimit apo Ministria e Bujqësisë janë faktorë që do të ndihmojnë në zhvillimin e zonave rurale.
Znj.Rami, cila është e kaluara juaj, historia e karrierës dhe familjes suaj?
Jam lindur në Gjirokastër dhe e kam lidhur jetën time dhe të familjes sime me këtë qytet. Jam motra e madhe e dy vëllezërve. Babai im ishte me profesion ekonomist dhe është ndarë nga jeta 4 vjet më parë, ndërsa nëna ka punuar si nëpunëse. Me bashkëshortin jam njohur që në shkollën 8-vjeçare, kemi qenë bashkë në gjimnaz dhe miqësia jonë e gjatë u kurorëzua me lidhjen tonë, në martesë, fryt i së cilës janë dy fëmijë, Irini 13 vjeç dhe Marko 9 vjeç. Babai i bashkëshortit tim ka qenë mjek pediatër i njohur në të gjithë zonën, e ëma korrektore e shkëlqyer në mediat e kohës. Për 18 vjet kam qenë pjesë e stafit akademik të Universitetit “Eqrem Çabej”. Katër vite më parë nisi angazhimi im në politikë me anëtarësimin në radhët e LSI-së dhe më pas me zgjedhjen time si Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 isha pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të forcës sime politike. Prej muajit tetor 2013-maj 2015 mbajta pozicionin e Prefektit të Qarkut, prej të cilit dhashë dorëheqjen për shkak të kandidimit në garën për Bashkinë e Gjirokastrës, si përfaqësuese e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.
Mendoni se zgjedhja juaj me të majtën që është në pushtet mund të ndikojë në realizimin e shpejtë të detyrave tuaja si kryebashkiake?
Sigurisht që po. Në këtë garë për kreun e Bashkisë së Gjirokastrës nuk jam vetëm. Kam mbështetjen e plotë të kryeministrit, z. Edi Rama, kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, Qeverisë shqiptare dhe deputetëve të qarkut. Është shumë normale që mbështetja do vazhdojë të jetë e plotë edhe për katër vitet e ardhshme. Paraprakisht kam miratimin e ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, për të zbatuar projektet tona në fushën e trashëgimisë kulturore. Kam miratimin dhe mbështetjen e ministrit të Ekonomisë dhe Turizmit, z. Arben Ahmetaj për investimet e shumta që do të vazhdojnë në Gjirokastrën tonë. Kam mbështetjen e ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka për ngritjen e landfillit të përpunimit të mbetjeve urbane, mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj për ndërhyrje në rikonstruksionet e qendrave shëndetësore etj.
Gjirokastra është qytet i vizitueshëm nga turistët, çfarë hapësire zë turizmi në programin tuaj?
Turizmi përbën padyshim shtyllën kryesore të programit dhe si i tillë zë një vend të konsiderueshëm. Gjirokastra është një zonë me një potencial shumë të madh turistik, por që deri tani nuk ka pasur një strategji turistike dhe ekonomia e zonës nuk ka arritur të përfitojë nga ky sektor kaq i rëndësishëm dhe fitimprurës.
Do të ndërtojmë një paketë turistike të kompletuar, e cila do të ketë si objektiv të vetin mbajtjen në Gjirokastër dhe në rrethinat përreth saj të turistëve për të paktën tri ditë. Ky rezultat do të arrihet me anë të aktivizimit të konceptit të agro-turizmit dhe me anë të ofrimit të një pakete turistike, e cila do të përfshijë të gjitha monumentet që ndodhen në territorin e bashkisë së re, duke filluar nga Kalaja e Kardhiqit deri në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Antigonesë. Do të nxisim turizmin familjar nëpërmjet shtimit të guest-houseve dhe kthimit pjesor të banesave “Monument Kulture” në Qendrën Historike në mini-hotele. Do të nxisim turizmin alternativ, turizmin malor dhe atë natyror. Do të kemi një plan strategjik për promovimin e turizmit. Bashkia do të koordinojë të gjithë aktorët principalë dhe një pjesë të komunitetit për të nxitur ofrimin e shërbimeve të reja. Gjithashtu, do të krijojë një faqe interneti, dedikuar turizmit. Gjirokastra do të ketë një imazh të qartë dhe konkret të turizmit: Menaxhim dhe përgjegjësi e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për Kalanë dhe Zonën Muzeale. Ngritja e biletarisë elektronike në Kala, që do të shoqërohet me njehsimin e biletave (dy biletat, një për Kalanë dhe një për Muzeun e Armëve kanë qenë problem i mbartur prej vitesh). Bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për krijimin e një pakete turistike nga ana e bashkisë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Transporteve do të rikonceptohet e gjithë sinjalistika turistike.
Fëmijët janë e ardhmja, si i keni menduar hapësirat për të vegjëlit në Bashkinë tashmë të madhe të Gjirokastrës?
Natyrisht që fëmijët janë pjesë e programit tim, jo vetëm përsa u përket hapësirave të lojërave, por edhe krijimit të kushteve më të mira për të mësuar. Janë 6200 fëmijë të moshave 3-18 vjeç që frekuentojnë kopshtet dhe shkollat në territorin e Bashkisë së re të Gjirokastrës. Është detyra jonë të ndërhyjmë për të përmirësuar infrastrukturën në këto institucione, duke filluar me sigurimin e ngrohjes, shtimin e pajisjeve dhe mjeteve didaktike, ambiente higjieno-sanitare të pastra, etj. Nga ana tjetër kemi projekte për argëtimin e tyre. Të gjitha hapësirat e lira brenda pallateve do të kthehen në miniparqe dhe minikënde lojërash. Do të ketë investime në pjesën e re të qytetit për krijimin e sa më shumë zonave çlodhëse. Do të vendosen kënde të lojërave për fëmijë në të gjitha ambientet e sipërpërmendura. Edhe shtimi i terreneve sportive do të bëjë që fëmijët të kenë një mundësi më shumë për të kaluar kohën dhe orët e lira, por njëkohësisht edhe të merren me sport.
Çfarë do të përmirësoni në drejtimin e administratës?
E para gjë që do t’i kërkoj stafit tim qysh në takimet e para do të jetë ofrimi i një shërbimi model për qytetarët në të gjitha zyrat nga të gjithë punonjësit. Bashkia nuk do të fillojë dhe as do të mbarojë në godinën ku janë zyrat, por do të jetë ekzistuese në çdo pjesë të territorit të saj, me takime dhe konsulta të programuara, si dhe me programe ndihme. Bashkia do të jetë garantuesja dhe mbrojtësja e çdo banori. Do të ngremë zyrat e informimit dhe konsultimit me publikun. Qytetari nuk do të jetë në funksion të bashkisë, por bashkia në shërbim të qytetarit.
Cili është projekti i parë që do të realizoni nëse fitoni zgjedhjet?
Projekti i parë konkret është ai i ngritjes së një qendre sociale për t’iu gjendur pranë së pari shtresave në nevojë, për t’iu dhënë shpresë dhe mbështetje. Kemi planifikuar që fillimisht të mbështesim 100 familje, të cilat jetojnë nën minimumin jetik të të ardhurave. Do të jetë ky një projekt, që do të realizohet me bashkëfinancim të Bashkisë së Gjirokastrës, por edhe të donatorëve të huaj. Ne jemi të vetëdijshëm që varfëria nuk luftohet me qendra sociale, por pushteti vendor ka detyrimin t’u qëndrojë pranë banorëve e veçanërisht atyre në nevojë, me çdo formë apo projekt social.
Pse qytetarët e Gjirokastrës e komunave duhet t’ju votojnë ju?
Banorët që tanimë do t’i përkasin njësisë së re administrative, Bashkisë së Gjirokastrës, votojnë në radhë të parë për veten e tyre, për të pasur më shumë punë, më shumë të ardhura, më shumë siguri, më shumë perspektivë dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Programi që unë ofroj, alternativa që unë përfaqësoj dhe mbështetja që kam nga Qeveria shqiptare e bëjnë zgjedhjen e banorëve më të lehtë. Gjatë gjithë kësaj kohe, bashkë me stafin tim kemi punuar për të realizuar një program konkret, të realizueshëm dhe gjithëpërfshirës. Në të e gjen veten çdo shtresë, çdo komunitet dhe grup interesi. Së bashku do të zhvillojmë Gjirokastrën, Lunxhërinë, Antigonenë, Cepon, Odrien e Lazaratin, do të bëjmë që bashkia jonë të jetë vatër e ngrohtë për secilin prej nesh dhe strehë mikpritëse për vizitorët e turistët.
Çfarë do u thoshit sot zgjedhësve që ata t’ua besojnë votën e tyre juve?
Unë jam një prej jush. Unë i kuptoj sfidat me të cilat familjet tuaja përballen çdo ditë. I njoh mirë problemet që ka qyteti dhe fshati, ndaj në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë do të sjellim më shumë investime dhe zhvillim për Gjirokastrën. Unë do drejtoj duke ju shërbyer. Nën kujdesin tim, bashkia do fokusohet që të krijohen më shumë mundësi për rininë, të moshuarit, gratë dhe çdo banor të Gjirokastrës. Me mbështetjen tuaj, së bashku do të ecim në drejtimin e duhur, për më shumë shërbim dhe më shumë punësim. Shumë shpejt, së bashku do të vëmë në zbatim programin tonë për të tashmen dhe të ardhmen e Gjirokastrës.