Zanatet tradicionale krijojnë vende të reja pune në Gjirokastër

Gjithmonë e më tepër zanatet e traditës në Gjirokastër po ndihmojnë për çeljen e vendeve të reja të punës dhe punësimin e punëkërkuesve të ndryshëm, kryesisht të rinj.

Zanatet tradicionale si ai i skalitjes së gurit, drugdhendjes, qëndisjes me dorë, etj po krijojnë mundësi punësimi, ndërkohë që prodhimet tradicionale po tërhiqen gjithmonë e më shumë nga turistët.

Aktualisht, në Pazarin karakteristik funksionojnë disa qendra të prodhimeve tradicionale dhe tregëtimit të suvenireve duke punësuar edhe persona të ndryshëm, kryesisht në formën e biznesit familjar.

Ndërkohë mjaft vajza dhe gra të papuna punojnë në kushtet e shtëpisë duke përgatitur prodhime karakteristike, të cilat tërhiqen jo vetëm nga turistët në Gjirokastër por kanë gjetur blerës edhe në vende të ndryshme të botës.

Tashmë është bërë traditë që çdo turist vendas apo i huaj pasi përfundon vizitën në qytetin e Gjirokastrës dëshiron të blejë një suvenir si kujtim nga udhëtimi në qytetin e gurtë. Në dyqanet e suvenirëve kryesisht në pjesën historike të qytetit ofrohen  punime të larmishme me motive karakteristike, të cilat po kënaqin shijet e vizitorëve për t’i patur si një kujtim nga shëtitja në Gjirokastër.Ato që tërheqin me shumë vizitorët vendas dhe të huaj që mbërrijnë në Gjirokastër janë punimet e realizuara në gur të gdhendur. Çdokush që viziton Gjirokastrën e gurtë dëshiron që në largim të marrë si kujtim një suvenir me motive nga ky qytet.

Tashmë punimi i suvenirëve nga gurgdhendësit gjirokastritë krahas pasionit vetjak është kthyer edhe në pjesë të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë lokale. “Turistët që vizitojnë Pazarin e gurtë nuk rreshtin së kërkuari punime karakteristike në gur të skalitur “, thotë Jona Dhrami, menaxhere e një dyqani suveniresh në Pazarin e gurtë të Gjirokastrës. Në mjediset e brendshme ky dyqan suveniresh ofron punime të ndryshme karakteristike të punuara në gur, me motive nga Gjirokastra “Turistët kërkojnë vazhdimisht punime karateristike”, thotë një gurgdhendës. “Unë jam lidhur me nje dyqan në Pazarin e gurtë dhe aty çoj punimet e mia, të cilat më pas i blejnë turistët si kujtim”. Një vizitë në qytetin e gurtë për turistët nuk do të kishte kuptim pa marrë një kujtim prej tij. “Çcmimet që ofrojmë nuk janë shumë të larta çka bën që turistët të ndihen mirë kur blejnë diçka”, thotë menaxherja e njerit prej dyqaneve të suvenirëve në Pazarin e gurtë.

Rrikthimi i traditës së punimeve të realizuara në gur ka shtuar edhe mundësinë e punësimit të zanatçinjve gjirokastritë. Janë me dhjetëra gurgdhendës, kryesisht mosha të reja, të cilët janë përfshirë në projektet restauruese që  zbatohen aktualisht në Gjirokastër.Mërkur Shameti, për 20 vite ka punuar në Greqi si gurgdhendës. “Pasi u ktheva këtu në Gjirokastër së bashku me familjen fillimisht  e pata të vështirë të punësohesha por me kalimin e kohës u shtuan punimet me gur të skalitur dhe veçanërisht shtrimi i rrugëve me kalldrëm” ,thotë ai .

“Tashmë,  kam punuar në disa raste të tilla si në shtrimin me gur të skalitur të pedonales së Viroit, disa rrugë në lagjet muzeale,etj”.

Në këtë kuadër subjekte të ndryshme duke përfshirë edhe ato shtetërorë kanë ndërmarrë nisma për çeljen e kurseve të trajnimit në lidhje me zanatet e traditës. Pas përfundimit të tyre kryesisht të rinjtë e papunë kanë mundësi të orientohen më lehtë në tregun e punës./konica.al