Zaptimi i tokave musha, plas “sherri” në Nepravishtë, ndërhyn kryebashkiakja Mandi

Zaptimi i tokave të konsideruara si “musha” në fshatin Nepravishtë ishte kthyer në një problem shqetësues për disa banorë, aq sa në disa raste u bë shkak për konflikte mes tyre.

Tokat janë zaptuar në mënyrë të njëanshme me gardhe të ngritura nga vetë banorët. Për të zgjidhur këtë problem u desh ndërhyrja e kryebashkiakes Luiza Mandi, e cila një natë më parë mblodhi banorët e Nepravishtës në një takim, për t’i dhënë zgjidhje në mënyrë të përbashkët problemit.

Sipas njoftimit në faqen e Bashkisë Libohovë, “kryebashkiakja u dakordësua me banorët për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, në të kundërt do të merren masat administrative siç parashikohen në ligj”.

Siç mëson Libohova Online, meraku i vetëm i banorëve të Nepravishtës, ka qenë që gardhet e ngritura në tokat musha, të prishen të gjitha dhe të mos ketë trajtime preferenciale sipas njohjeve, lidhjeve apo qofshin edhe përkatësisë politike. /Libohova Online/