Zbardhen planet e qeverisë për dy aeroporte në Gjirokastër dhe Delvinë

aeroporti GjirokasterAeroporti i jugut për fluturimet ndërkombëtare do të jetë në Delvinë ose në Gjirokastër. Report TV ka zbuluar dy projektet e Qeverisë për ndërtimin e aeroportit që do të konkurrojë Rinasin, i orientuar më së shumti nga turizmi.

Ato janë pasqyruar në planin për zhvillimin e bregdetit. Duke ju referuar planeve të afatshkurtra të Qeverisë, njëri prej të dyve do të përzgjidhet për t’u ndërtuar brenda vitit 2020.

Por në plane më afatgjata, nuk përjashtohet mundësia që në jug të ndërtohet edhe një aeroport i dytë. Plani fillestar i Qeverisë për zhvillimin e bregdetit parashikonte kthimin në aeroport ndërkombëtar të aerodromit të Sarandës.

Por më pas është hequr dorë nga Saranda për t’u përqendruar te ai i Delvinës dhe i Gjirokastrës. Në Shqipëri numërohen në total 12 fusha aviacioni të vogla, kryesisht të mbuluara me bar, të cilat potencialisht mund të përdoren për fluturime civile.

Gjithsesi, ajo që dihet me siguri është se puna për ndërtimin e aeroportit të jugut do të nisë në vitin 2019, do të kushtojë 75 milionë euro, dhe do të jepet me koncesion.

Sipas Ministrisë së Transporteve, në vitin 2016 do përzgjidhet një prej aeroporteve, si dhe kostot për blerjen e tokës. Po këtë vit do studiohen edhe mundësitë për dhënien e tij me koncesion.

Paralelisht do të nisë edhe procesi i tenderimit për përzgjedhjen një kompanie që do bëjë studimin dhe dizajnimin e infrastrukturës së aeroportit.

Sipas planveprimit, në vitin 2017 duhet të ketë përfunduar përzgjedhja e kësaj kompanie, e cila në vitin 2018 duhet të ketë gati dhe projektin.

Po në vitin 2018 do të nisë procesi i tenderimit për përzgjedhjen e kompanisë që do kryejë punimet infrastrukturore për aeroportin, si dhe blerja e tokës. Në vitin 2019 do të përzgjidhet kompania që do kryejë punimet, e cila duhet të nisë punën që këtë vit.