Zbulohen në Kakavijë 39 kg kanabis, zhduken tre trafikantët

Zbulohet kanabis sativa pranë pikës kufitare të Kakavijës. Pasditen e djeshme, e martë, punonjësit e policisë kufitare gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër mbi fshatin Kakavijë, në rrugën drejt liqenit të këtij fshati kanë konstatuar tre persona, dy prej të cilëve transportonin dy çanta shpine ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike.

Efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar.

Por tre të dyshuarit duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat.

Në brendësi të çantave kishte lëndë narkotike kanabis sativa me peshë 39 kilogramë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Aktualisht vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë , për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”