Zbulohet kush është vajza që u kap me drogë në Kakavijë

Policia shqiptare jep më shumë detaje për drogën e kapur dje në Kakavijë nga pala greke. Përmes një njoftimi sqarohet dinamika e ngjarjes dhe thuhet se 28-vjecarja nga Fieri, e ka marrë drogën në territorin grek dhe se pala shqiptare kishte ushtruar gjithë kontrollin e nevojshëm. Sipas Policisë së Shtetit shtetësja I.M., 28 vjeçe, nga Fieri, ka kaluar si këmbësore në Kakavije për në Greqi, mëngjesin e datës 6 prill 2018. Asaj i janë kontrolluar bagazhet edhe nga Policia shqiptare edhe nga Policia greke.

Gjatë kontrollit nuk i është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm. Në datën 8 prill, pra 2 ditë më vonë, kjo shtetase është ndaluar brenda territorit grek në autobusin e linjës Kakavije-Janinë, duke transportuar 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis, ndërsa po udhëtonte nga Kakavija drejt Janinës. Kjo shtetase prej mëngjesit të datës 06.04.2018, nuk ka hyrë në territorin shqiptar dhe lëndën narkotike e ka marrë në territorin grek. Gjithashtu, nga shkëmbimi i informacioneve me homologët greke rezulton se kjo shtetase ishte në procedim nga Antidroga e Janinës prej kohësh.