Zgjedhjet, prezantohen kandidatët e PS-së në Gjirokastër (FOTO)

Partia Socialiste prezantoi dje në Gjirokastër kandidatët për 7 bashkitë e qarkut. Në eventin e organizuar me këtë rast, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi dhe njëherësh i deleguari i PS-së për këtë qark, tha se 30 qershori është një moment historik për t’i dhënë qytetarëve kryetarët më të mirë dhe këshillat bashkiakë që i kanë munguar për vite me radhë.

Sipas tij cdo zgjedhës duhet të dalë atë ditë për të votuar sepse nëse nuk voton, të tjerët do të vendosin për të. Çuçi tha se qytetarët nuk duhet t’i shkojnë pas marrëzisë së opozitës, e cila ka humbur rrugën duke bërë një gabim fatal.

Gjatë takimit foli gjithashtu edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila prezantoi dy kandidatet femra, Alma Hoxha për Përmetin dhe Luiza Mandi për Libohovën. Kumbaro tha se Përmeti për herë të parë do të ketë një grua për kryetare, një zonjë që i ka shërbyer qytetit për vite me radhë në arsim. Një fjalë të shkurtër përshëndetëse mbajtën edhe kandidatët me radhë.

Në Gjirokastër PS kandidon Flamur Golemin, në Tepelenë Tërmet Peçin, në Përmet Alma Hoxhën, në Memaliaj Gjolek Gucin, në Këlcyrë Klement Ndonin, në Libohovë Luiza Mandin dhe në Dropull Dhimitraq Tolin.

Hapja e madhe e fushatës së socialistëve do të bëhet më 31 maj në Tiranë, ditë kur opozita ka njoftuar një tjetër protestë të madhe.