Zyrtare/ Ballist Morinës do t’i ndalohet hyrja në ndeshjen me Serbinë

ballisti_1Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, ka bërë të ditur se Ismail Morina, i njohur si Ballisti, nuk do të jetë në ndeshjen kundër Serbisë.

“E sigurt është që “Ballist” Ismail Morina nuk do të jetë në stadium”, u shpreh Shulku për personin që ka marrë autorësinë e lëshimit me fluturake në qiellin e Beogradit në stadiumin “Partizani” të një banderole me elementë të simboleve kombëtare të shqiptarëve.

“Të gjitha ndeshjet tona kanë qenë korrekte dhe kemi marrë çfarë kemi merituar në fushën e lojës”-tha sekretari Shulku mesditën e së enjtes.

Shqipëria dhe Serbia e luajnë ndeshjen në “Elbasan Arena” me 12 mijë e 600 vende në 8 tetor me fillim nga ora vendore 20:45 për grupin “I” kualifikues të Kampionatit Europian “Francë 2016”.

Shqipëria ka siguruar matematikisht fazën plej-of dhe në dy ndeshjet e fundit me Serbinë dhe Armeninë kërkon një nga dy vendet e para që e kualifikojnë drejtpërdrejtë në finale.