“20 vjet deputet dhe sillet sikur ka qenë vetëm në opozitë”, Golemi sulmon sërish Tavon (VIDEO)

Për të dytën herë radhazi kandidati socialist për deputet në Gjirokastër, Flamur Golemi ka shigjetuar me sulme Vangjel Tavon e LSI-së. Edhe pse nuk i është referuar me emër direkt, deklarata e tij gjatë një takimi në fshatin Erind, shkonin për Tavon.

“Unë nuk bëj fushatë me numrin e celularit.  Të jesh deputet prej 20 vitesh dhe të konsiderosh si arritje që njerëzit kanë numrin tënd të telefonit, por problemet janë po aty të pazgjidhura, do të thotë se ke dështuar me sukses. Dhe më keqja, deputet prej 20 vitesh që shfajësohet sikur ka qenë vetëm në opozitë. Thjesht kërkon t’i hedhë hi syve njerëzve sa për t’i marrë votat. Unë s’kam asgjë të përbashkët me këtë model, prandaj jam në këtë garë për të marrë mbështjen e banorëve të Gjirokastrës, që pas 25 qershorit t’u shërbej si deputet, njësoj siç u kam shërbyer si mjek”, shkruan Golemi në faqen e tij në Facebook teksa poston edhe video nga takimi.