2014, viti i parë pa rritje page që nga 1999
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë që pagat e sektorit publik u rritën në terma realë me vetëm 0.1 për qind, gjë që ndodh për herë të parë në më shumë se 15 vjet.
Nga Gjergj Erebara/Birn
Paga mesatare bruto e sektorit publik u rrit me 1.7 për qind në terma nominale dhe vetëm 0.1 për qind në terma reale për shkak të inflacionit në masën 1.6 për qind, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave. Kjo është hera e parë që nga viti 1999, kur paga reale për sektorin publik qëndron në vendnumëro. Sipas INSTAT, paga mesatare bruto në shtet për vitin 2014 qe 53,025 lekë ndërsa në vitin 2013 qe 52,150 lekë.
Qeveria e Shqipërisë ka rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar për mosrritjen e pagave në sektorin publik për disa vite për shkak të disbalancave të krijuara që nga koha e krizës së vitit 2008, kur Shqipëria i rriti pagat me ritëm shumë më të shpejtë se sa rritja e të ardhurave buxhetore, gjë që do të thotë se kjo rritje pagash u pagua me borxh publik. Në vitin 2008, paga mesatare në sektorin publik qe 36,537 lekë në muaj dhe u rrit me afërsisht 7.8 për qind në vit deri në vitin 2012 ndërkohë që rritja ekonomike e vendit qe 2-4 për qind.
Mes profesioneve të të punësuarve në shtet, ligjvënësit, nëpunësit e lartë dhe drejtuesit patën gjatë vitit 2014 pagë mesatare mujore prej 82,417 lekësh ndërsa specialistët e patën pagën 60,998 lekë. Nëpunësit e thjeshtë e patën pagën 41,120 lekë ndërsa paga mesatare për punëtorët qe 37,050 lekë.
Instituti i Statistikave i publikon të dhënat mbi pagat në sektorin publik bruto, d.m.th në këto shifra përfshihen kontributet personale për sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat, nëse ka.
Hera e fundit që Shqipëria ka qenë në një situatë të tillë qe viti 1998, kur qeveria nuk i rriti pagat pavarësisht inflacionit të lartë me synimin e zvogëlimit të deficitit buxhetor.