28 maj 1969, kur Enver Hoxha vizitonte Libohovën

enveriKy është fjalimi i Enver Hoxhës, mbajtur në Libohovë pas ceremonisë së inagurimit të bustit të Avni Rustemit, 28 maj 1969.

Dëshiroj t’ju them disa fjalë me rastin e ardhjes time në Libohovë, juve të dashur punonjës të Libohovës si dhe juve të dashur shkollarë e shkollare. Me shumë të drejtë ju po brohorisni me kaq zjarr të madh për partinë tonë, sepse e dini që nën udhëheqjen e saj të drejtë u çlirua përgjithmonë populli ynë dhe u krijuar Republika Popullore e Shqipërisë. Është Partia e Punës e Shqipërisë ajo që e pruri në pjedestale heronj si Avni Rustemi, gjithë luftëtarët e kohërave tona të kaluara, partizanët trima që derdhën gjakun për historinë, për popullin dhe për rininë tonë.
Libohova juaj është një qytet i bukur.

Populli i saj ka vuajtur shumë në të kaluarën, sepse pikërisht këtu ishte çerdhja e njëri prej feudalëve më të egër e të tërbuar, Myfit bej Libohovës, i cili, si një nga krerët e feudalizmit në vendin tonë, jo vetëm juve, por shtypte mbarë popullin dhe shiste Shqipërinë. Por mund të përpiqesh të shtypësh popullin, siç bëri feudali i urryer Myfit Libohova dhe familja e tij, ashtu siç bënte satrapi Ahmet Zogu, por as ata, as padronët e tyre të jashtëm, nuk mund t’ia arrinin dot qëllimit, pse populli është i pamposhtur.

Këtu në Libohovë në gjirin tuaj, lindi Avni Rustemi, një djalë i zoti me zemër të madhe, të guximshme dhe me mendje të qartë. Avniu nuk ishte njeriu i ëndërrimeve të kota, nuk ishte një njeri që mendonte të ecej si të ecej, po ishte një revolucionar, dhe ishte revolucionar pikërisht pse kishte dalë nga gjiri i vuajtur i popullit të këtij qyteti, ku sundonte në të kaluarën kalaja e feudalëve, kamzhiku i tyre. Qysh kur ishte në bankat e shkollës, afërsisht në moshën që jeni ju sot, të dashur shkollarë e shkollare, ai mendone për fatet e popullit. Kur ishte nxënës Avniu përpiqej të mësontë sa më mire dhe mendonte që diturinë e fituar jo ta kishte si një stoli për vete, por ta vinte në shërbim të popullit, ashtu siç e vuri. Më vonë, kur u rrit, mendimet e tij gradualisht u zhvilluan e u kalitën gjithnjë e më shumë.

Akti heroik i Avni Rustemit të Paris nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist, apo anarkist. Jo! Akti i Avniut kishte një kuptim të madh ideologjik dhe politik. Plumbat e Avni Rustemit që shtrinë përdhe Pashën e Toptanit mu në zemër të Parisit, ishin një sinjal, ishin një kushtrim i atij revolucioni të popullit shqiptar që po ngrihej kundër feudalizmit. Avni Rustemi nuk e zgjodhi kot personin mbi të cilin duhej të shprehte fortë urrejtjen e mbarë popullit tonë. Ai zgjodhi Esat Pashë Toptanin, pse ai kishte shitur Shqipërinë tek otomanët, më vonë u shërbeu gjermanëve të Pric Vidit dhe më pas u shit kokë e këmbë edhe tek imperialistët italianë. Ishte Esat Pashë Toptani, ai që shtypi “rebelët” dhe pregatiti në Paris kurthe të tjera për Shqipërinë e re. Avni Rustemi, ky revolucionar me ide të qarta e zemër të çeliktë, që përfaqësonte ndjenjat dhe aspiratat e popullit të vuajtur dhe të rinisë trime të të gjithë vendit tonë, rrëzoi Pashën e Toptanasve përdhe, ngjarje kjo që u bë sinjal i luftës për rrëzimin e feudalizmit në vendin tonë.

Pas atentatit historik, Gjykata Franceze u gjet përpara një opinioni të gjerë botërorë që u ngrit në mbrojtje të këtij djaloshi të ri nga Shqipëria, i cili brenda në Paris guxoi t’u thotë francezëve, se ashtu si ata vetë ia prenë kokën mbretit të tyre në kohën e Revolucionit Demokratiko-Borgjez, ashtu edhe ai, për të shpëtuar popullin e vet, ia zbrazi në gjoks të gjithë fishekët e bashkë me ta edhe urrejtjen e popullit shqiptar atij qeni tradhtar. Përpara këtij opinioni të madh botëror, Gjykata e Parisit u detyruar ta lironte Avniun.

Avni Rustemi ishte njeri i aksionit. Jetën, veprimtarinë dhe mendimet e tij revolucionare nuk i përfaqëson vetëm vrasja e Esat Pashës. Vepra e Avniut shkëlqen gjatë gjithë jetës së tij, megjithëse të shkurtër. Derisa u vra nga armiqtë e popullit, Avniu mendoi, punoi dhe jetoi si revolucionar. Si djalë i popullit që ishte, atij nuk iu rrit mendja, prandaj, pasi u kthye në Shqipëri, nuk i shkoi në mendje të kapardisej, duke pretenduar se meqë vrau tradhtarin Esat Pasha, të gjithë ta adhuronin si njeri të madh. Jo, nuk ndodhi kështu me të. Avni Rustemi ishte njeri i thjeshtë, siç janë dhe duhet të jenë gjithë revolucionarët, ai mendoi se ajo që bëri ishte vetëm një pjesë e luftës së tij, pse si bir i popullit, që e lindi dhe e rriti, ai i kishte borxhe të mëdha këtij. Prandaj filloi nga puna për të ngritur popullin, për ta bashkuar e për ta hedhur në luftë që të shkuleshin në Shqipëri nga rrënjët bejlerët, agallarët, pashallarët e gjithë gjakpirësit e tjerë të popullit shqiptar. Avniu organizoi rininë në “Bashkimi”.

Ai nxirrte gazeta, mbante fjalime të zjarrta në popull dhe në parlament dhe ishte një nga kundërshtarët më të rreptë të demokratëve falso e, në radhë të parë, të satrapit Ahmet Zogu, të politikës së tij të brendshme shtypëse antipopullore, të politikës së tij të jashtme skllavëruese që synonte të copëtonte Shqipërinë dhe t’u jepte pjesë të rëndësishme të saj si dhuratë jugosllavëve e grekëve, pse aq i bënte atij për fatet e popullit. Avni Rustemi ishte një nga ata që udhëhiqte luftën e popullit shqiptar, Revolucionin Demokratiko-Borgjez. Pikërisht pse ishte i tillë Ahmet Zogu e vrau Heroin tonë, Avni Rustemin. Zogu nuk e vrau Avniun pse i kishte vrarë dajën e vet, Esat Pashë Toptanin, në kuptimin pra të thjeshë të hakmarrjes. Jo! Atentati i Zogut kishte edhe ai një kuptim të madh politik dhe ideologjik. Në radhë të parë, Ahmet Zogu si përfaqësues më i egër i feudalizmit në Shqipëri, me bejlerët rreth e rrotull tij dhe me borgjezinë që po ngrihej, shikonte tek populli që po pregatitej në kryengritje armikun e vendosur të interesave të tij, shikonte te Avni Rustemi dhe në organizatën “Bashkimi” që ai pat organizuar një rrezik të jashtëzakonshëm për të dhë për dështimin e komplotit që kurdisi. Për këto arsye Ahmet Zogu e vrau Avni Rustemin.

Ai me këtë akt synonte të godiste revolucionin Demokratiko-Borgjez në ngritje. Mirëpo vrasja e Avni Rustemit ngriti në këmbë gjithë popullin shqiptar. Kjo ngjarje bëri të pëlciste pikërisht ai revolucion që po pregatiste Avni Rustemi. Vrasja e të cilit u bë një pishtar për popullin tonë. Nga të katër anët e Shqipërisë u mblodhën në atë kohë në Vlorën heroike, në Vlorën e luftërave për çlirim, në Vlorën ku më 1912 u ngrit flamuri ynë kombëtar, në Vlorën ku u varros dhe tani prehet përgjithmonë trupi i Heroit tonë, Avni Rustemit, njerëzit më të mirë, njerëzit më të mirë të cilët bashkë me popullin rrëmbyen pushkën dhe marshuan mbi Tiranë për të goditur edhe një herë në mënyrë masive feudalizmin, përfaqësuesin e tij kryesor, Ahmet Zogollin, me gjithë sejmenët që ai kishte rreth vetes.

Ahmet Zogu u shporr e në Shqipëriu formua Qeveria Demokratike Borgjeze e Fan Nolit. Por kësaj i mungonte një dorë e hekurt e mendje e ndritur, si ajo e Avni Rustemit. Kjo qeveri u përpëlit për një kohë, bëri lëshime të mëdha në politikë, ajo nuk zbatoi reformat politike dhe ekonomike që kishin në mendjen e tyre Avniu, shokët e tij dhe gjithe djalëria shqiptare që u vente pas. Në këto kushte, Ahmet Zogu, me ndihmën politike, morale dhe materiale të Serbisë, Greqisë, Italisë dhe Francës, erdhi përsëri në Tiranë, ku vendosi regjimin e tij të egër, për të bërë në kurriz të atdheut të gjitha ato që dimë, që popullit tonë iu desh t’i lante më vonë me lumenj gjaku.

Popullit shqiptar, i udhëhequr nga Partia e tij heroike Komuniste, iu desh të bënte Luftën legjendare Nacionalçlirimtare për të përzënë pushtuesit italo-gjermanë. Me këtë luftë ai shfarosi nga rrënjët një herë e përgjithmonë bejlerët, agallarët, fajdexhinjtë, tregtarët e tradhtarët dhe ngriti në këmbë Shqipërinë e re të popullit, Shqipërinë e atyre që kishin vuajtur për një copë bukë e një pëllëmbë tokë. Endrrat dhe përpjekjet e Avni Rustemit i çoi më tutje Partia Komuniste Shqiptare, e cila udhëhoqi revolucionin e madh proletar, revolucionin socialist, që vjen pas revolucionit demokratiko-borgjez. Partia zbatoi rrënjësisht ato reforma demokratike shoqërore që kishte në kokën e tij dhe për të cilat u përpoq dhe luftoi derisa vdiq Avni Rustemi. Partia i bëri thellë këto reforma, ajo e bëri Shqipërinë me të vërtetë të popullit, të shqiptarëve dhe shqiptarkave, duke sjellë masat në fuqi dhe duke i mësuar ato të drejtojnë pushtetin me dorën e tyre të çeliktë dhe t’ia ndërronin faqen kryekëput Shqipërisë, ta bënin siç e kanë bërë sot, të lulëzuar. (Burimi: Arkivi Qëndror Shtetëror. Fq. 10 D. N. R. Origjinal)