3 vatra zjarri në qarkun Gjirokastër gjatë 24 orëve të fundit

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Mësohet se në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 70 punonjës zjarrfikës, 16 automjete, 76 forca vullnetare, 20 forca të Ushtrisë, si dhe helikopterë. Sa i përket qarkut Gjirokastër raportohet se në fshatin Pacomit, bashkia Përmet, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe vreshtari. Zjarrfikësit të shoqëruar dhe nga vullnetarë, kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën 2 ha shkurre dhe ferra. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

Në fshatin Mashkullorë, bashkia Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe u rrezikua një stan bagëtish. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 0.2 ha me shkurre.

Në fshatin Kodrisht, bashkia Këlcyrë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikësit, bashkë me vullnetarët, kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 0.3 ha me shkurre dhe ferra. Në fshatin Hundkuq, bashkia Gjirokastër, ra zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra dhe rrezikohej zona e banuar. Në vendngjarje shkuan personeli zjarrfikës, forca të ushtrisë dhe një helikopter, të cilët pas një pune të pandërprerë arritën të shuajnë vatrat e zjarrit. Nga zjarri i rënë u dogjën 18 ha kullotë por u shpëtua zona e banuar.