4 elektriçistë kanë humbur jetën në pesë muaj. Ç’po ndodh në Gjirokastër?

Selfo Kallfa, Ismet Isaraj, Karafil Pupe dhe i fundit Gëzim Çabej. Këta janë 4 elektriçistët e OSHEE që kanë humbur jetën tragjikisht në Gjirokastër brenda 5 muajve të parë të vitit 2021. Mallkim, fat i keq që i përndjek apo gabime njerëzore që duhen korrigjuar? Mbase janë të gjitha bashkë ose asnjë prej tyre. Por kjo që po ndodh është e paprecendentë dhe shumë e trishtë në të njëjtën kohë.

E trishtë sepse mbi të gjitha ata janë njerëz dhe sigurisht profesionistë. Nuk e ka luksin as OSHEE dhe asnjë kompani tjetër sot të gjejë elektriçistë që e njohin rrjetin dhe zanatin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për qytete të vogla si Gjirokastra. Humbja e tyre është e madhe padiskutim për familjarët dhe të afërmit, por edhe për shoqërinë e komunitetin ku ata kanë shërbyer.

Hetimet për ngjarjet duhen analizuar rast pas rasti dhe institucionet përkatëse të nxjerrin përgjegjësitë. Kjo është njëra anë e historisë. Ana tjetër duhet të fokusohet në drejtim të forcimit të masave të sigurisë teknike në punë. OSHEE në nivel vendor dhe jo vetëm, do duhet të investojmë më shumë në këtë drejtim, qoftë në pajisje teknike, ashtu edhe në nivel menaxherial e trajnim të stafit. 4 elektriçistë të humbur brenda 5 muajve është e tepërt dhe ulëritëse në të njëjtën kohë.