4 shqiptarë të rrezikshëm arrestohen në Janinë

Policia greke ka arrestuar 4 shqiptarë si autorë të grabitjes me armë të një pike karburanti në Janinë. Ngjarja ka ndodhur 4 ditë më parë, në orët e para të mëngjesit të 29 qershorit në aksin nacional Janinë-Konicë, kur 4 shqiptarët të armatosur me kallashnikov grabitën 1000 Euro në pikën e karburantit.

Ata u identifikuan nga kamerat e sigurisë dhe u arrestuan një ditë pas grabitjes. Mediat greke kanë publikuar foton e katër shqiptarëve të akuzuar për grabitje me armë. Në foton që shikoni më poshtë, grabitësit shqiptarët ndodhen në rajonin e policisë së Janinës.

Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, por policia i konsideron ata të rrezikshëm dhe thotë se po hetohen nëse janë të përfshirë në ngjarje të tjera kriminale.

Hetuesit grekë njoftojnë se kanë informacione serioze që 4 shqiptarët të kenë lidhje me organizata kriminale që veprojnë në vendin tonë. Sipas policisë së Janinës, të arrestuarit nuk janë thjesht grupe që vjedhin në fshatrat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, por më shumë se kaq.