48 orët vendimtare/ Çfarë do të bëjë Basha me Roland Bejkon?

Brenda 48 orëve Partia Demokratike do të zyrtarizojë listën e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit. Një prej dilemave të kryetarit Lulzim Basha është vendosja apo jo në lista e kryetarëve të PD-së nëpër rrethe.

Sa i përket qarkut Gjirokastër, kreu i PD Roland Bejko pretendon të jetë pjesë e listës së kandidatëve.

Në mos të kryesojë listën, së paku të jetë i dyti në radhë, ndonëse PD ka pak shanse të fitojë dy mandate në këtë qark. Por lënia e tij jashtë listës dhe zëvendësimi me ndonjë emër tjetër nga radhët e klanit të Genc Rulit, mund të shkaktonte jo pak probleme duke ditur influencën e tij në Lazarat. Ky i fundit i jep PD-së mbi 2 mijë vota neto pasi njihet historikisht si një bastion i të djathtës.

Por deri më tani nuk dihet ende çfarë vendimi do të marrë Lulzim Basha dhe sigurisht Sali Berisha, ndikimi i të cilit është ende i madh brenda PD-së. Dy ditë më parë ishte në Gjirokastër deputeti Gent Strazimiri, i cili është dërguar prej Bashës për të filtruar propozimet e bazës së PD-së për kandidatë për deputetë.

Deri më tani emrat e përfolur si kandidatë të mundshëm janë: Altin Çomo, Ylli Asllani, Kosta Barka, Theodhoraq Vangjeli, Esheref Shehu, Mimoza Çomo, Eni Çobani etj.

/ArgjiroLajm.net/