6 muaj pushtet, sa tendera ka firmosur Zamira Rami, Luiza Mandi dhe Arhile Deçka

Zamira Luiza ArhileaQë nga muaji gusht 2015 kur kanë marrë detyrën e deri më tani, kryebashkiakët e rinj të vendit kanë zhvilluar plot 449 tendera në njësitë vendore që drejtojnë. Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit vlera totale e këtyre shpenzimeve, arrin në vlerën e 7 miliardë lekëve të reja.

Objektet e tenderimit janë të ndryshme, nga furnizimet me materiale, tek shërbimet publike, zbukurimet e deri te blerja e detergjentëve. Fokusohemi në tre bashkitë e rrethit Gjirokastër dhe shohim tenderat që janë firmosur nga Zamira Rami, Luiza Mandi dhe Arhile Deçka.

Bashkia Gjirokastër ka zhvilluar 10 tendera me vlerë totale 227 817 906 lekë të reja. Ndër tenderat e firmosur nga Rami është ai për blerjen e dy automjeteve teknologjike për Ndërmarrjen Komunale me vlerë 6 666 600 lekë të reja. Po kështu edhe tenderi për mobilimin e banesës së shkrimtarit Ismail Kadare, me vlerë 1 250 000 lekë të reja.

Bashkia Libohovë ka zhvilluar vetëm një tender, me vlerë 1 013 610 lekë të reja. Ky tender kishte të bënte me hidroizolimin e tarracës së ndërtesës ku janë zyrat e Bashkisë Libohovë.

Edhe Bashkia Dropull e drejtuar nga Arhile Deçka ka zhvilluar një tender të vetëm me vlerë 2 250 220 lekë të reja.

Duke patur më pak të ardhura dhe grante të vogla të akorduara nga qeveria, bashkitë e vogla nuk e kanë luksin për shpenzime të larta. Kryesisht shpenzimet mujore kryehen për nevoja të funksionimit të institucionit, ndërsa mungojnë investimet publike.