74 vjet nga themelimi i Batalionit ‘Asim Zeneli’, Flamur Golemi: LANÇ frymëzim të punojmë së bashku për Shqipërinë që duam (VIDEO)

Është përkujtuar sot 74-vjetori i themelimit të Batalionit ‘Asim Zeneli’.

Me këtë rast janë organizuar homazhe, ku merrte pjesë edhe deputeti i Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër, Flamur Golemi.

Në fjalën e tij, Golemi vlerësoi lart luftën dhe tha se Shqipëria u rendit në kampin e fituesve falë sakrificës së dëshmorëve.

“Përkujtojmë sot themelimin e Batalionit ‘Asim Zeneli’, një formacion i rëndësishëm luftues në jug të vendit, me partizanë nga Gjirokastra, Kardhiqi, Kurveleshi etj. Nderojmë 106 dëshmorët e këtij batalioni. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është një nga faqet më të ndritura të historisë së vendit tonë. LANÇ mund të na frymëzojë edhe sot në përpjekjen e përbashkët për Shqipërinë që duam. Nëse bashkohemi me vendosmëri të punojmë së bashku, siç u bashkuan 74 vite më parë ata djem e burra, vajza e gra, Shqipëria do të jetë një vend më i mirë për të gjithë”, shkruan Golemi në Facebook teksa publikon videon nga takimi me veteranë dhe familjarë të dëshmorëve.