8 Dhjetori, Roland Bejko apel për të rinjtë: Në vend që të ikni, rebelohuni kundër klikës

Nga Roland Bejko

Sot ky 8 Dhjetor mu duk i çuditshëm. Se si nuk e di… Ama të rinjtë e sotëm nuk më zhgënjyen.
Në një mori intervistash që kish bërë TV ABC News brezi i sotëm as e kishte idenë se çfarë është 8 Dhjetori.
Hajde mere vesh tani se kush do ta çmontojë Klikën e Satrapit që është ulur këmbëkryq me tepsi në dorë, dhe ha e ha e ska të ngopur, ndërsa të pangrënët i bien shkurt, ikin nga sytë këmbët. Kështu që kush thotë që 8 dhjetori 1990 nuk solli lirinë në shqipërinë e shtypur nga diktatura e ka gabim! Shqiptarët në shumicë janë të lirë, por të ndarë në dy kategori :
1. Kategoria e parë përfshin shqiptarët e lirë të vjedhin e plaçkisin gjithçka, të bëjnë trafiqe drogërash, të përvetësojnë pronat dhe fondet publike, të vrasin e të presin dhe asgjë të mos i gjejë.
2. Kategoria e dytë përfshin shqiptarët që janë të lirë të ikin nga sytë këmbët, ose të varin veten te fiku i oborit të shtëpisë, të helmohen me fotoksinë ose bar miu, ose të zhyen në ujrat e rezervuarve për të mos dalë më kurrë.

Të vetmit që nuk kanë liri në këtë vend janë ata shqiptarë që as ikin dhe as vjedhin. Mirëpo ata janë ose të lodhur, ose të zhgënjyer prandaj në Shqipëri për momentin e shikoj të vështirë përsëritjen e një 8 dhjetori apo 20 shkurti të ri dhe të domosdoshëm. Prandaj o njerëz, në vend që të ikni kokulur si dele të urta, REBELOHUNI kundër klikës, tani është më e lehtë se në kohën tonë, në vitet ’90. Ne si studentë të asaj periudhe, e bëmë tonën. U rebeluam. Bëjeni dhe ju tani.  Bëjeni për veten tuaj, bëjeni për fëmijët tuaj !
REBELOHUNI në vend që të ikni!