8 ditë nga skandali me Ansamblin e Dropullit, ende asnjë shpjegim për ngjarjen. Përse nuk flet Anton Tuni dhe Bashkia Dropull?

Kaluan plot 8 ditë nga skandali me Ansamblin e Dropullit, i cili u tërhoq në minutat e fundit nga koncerti me rastin e inagurimit të Sheshit Skënderbej në Tiranë.

Ende sot nuk ka një shpjegim publik prej këtij ansambli, drejtuesit të tij, Anton Tuni apo Bashkisë Dropull se përse e braktisën performancën e parapërgatitur për këtë event. Nga raportimet e para u mësua se Vangjel Tavo kishte urdhëruar Anton Tunin ta tërhiqte ansamblin nga koncerti, ndërsa si justifikim për fëmijët u tha se duhej të largoheshin pasi jeta e tyre ishte në rrezik. Pas deponimit të prindërve, çështja përfundoi në Policinë e Gjirokastrës.

Në këtë moment Vangjel Tavo akuzoi drejtorin e policisë Gjirokastër dhe kandidaten për deputete Artemisa Dralo se po e keqpërdorin këtë ngjarje, duke shtuar se ai s’ka lidhje me të. Artemisa Dralo nga na tjetër akuzoi Tavon si përgjegjësin direkt për këtë vendim absurd dhe keqpërdorim të ansamblit.

I vetmi që nuk ka folur deri më tani është Anton Tuni, drejtuesi artistik i këtij ansambli dhe personi që i komunikoi fëmijëve vendimin për të mos dalë në skenë. Me sa duket ai dhe Bashkia Dropull kanë vendosur të heshtin përgjithnjë, duke përforcuar idënë që thuhet nën ze se Ansambli i Dropullit është tërhequr nga koncerti në Sheshin Skënderbej me urdhër të Athinës zyrtare përmes deputetit Vangjel Tavo.

/ArgjiroLajm.net/