8 Marsi, mesazhi prekës i ministres Kumbaro për prindërit e saj

Nga Mirela Kumbaro

8 Mars personal për një Burrë e për një Grua.

për të falenderuar nënën time dhe babanë tim, dy të shtrenjtët e mi arsimtarë, që më mësuan se e para ishte Fjala, se sa shumë duhet të luftosh për t’ia dalë me aftësinë e mendjes e me forcën e Fjalës;
që më dhanë, para shkollës, mësimin më të çmuar se nuk ka emancipim të shoqërisë nëse gruaja dhe burri nuk janë bashkë në atë luftë;
që më përkthyen në shqip kuptimin e 8 Marsit jo thjesht si një festë, por si një ditë, ekzistenca e së cilës tregon se rruga drejt qytetërimit është e gjatë;
që më treguan, pa e thënë, se çfarë është një dashuri e madhe mes burrit dhe gruas.
U kërkoj ndjesë atij në qiell, asaj në shtëpi, për lëndimet që u shkakton dhuna verbale e fyerjet që bien ndonjëherë mbi vajzën e tyre vetëm pse ka pranuar të jetë në politikë, por duke i bërë të ndjehen krenarë për çdo ditë të punës time, vajzës së tyre.
Të tjerat shkojnë e vijnë…

Të dua shumë Ma!