8 vjet burg për ata që ndërtojnë pa leje

ndertime-paleje-300x200Kush ka planifikuar që të ndërtojë pa leje një shtesë apo një shtëpi në tokën e vet, do të duhet të mendohet mirë më parë, pasi rrezikon që të shkojë në burg. Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal, përmes të cilave kërkohet kriminalizimimi i veprës penale së ndërtimit pa leje.

Kushdo që do të ndërtojë pa leje, qoftë edhe një shtesë në tokën e tij, rrezikon që të dënohet me një vit burg. Edhe më të ashpra janë dënimet për ata që ndërtojnë për qëllime fitimi apo në tokë shtetërore, apo të dikujt tjetër, siç është rasti për ndërtuesit e mëdhenj. Në këtë rast, dënimet shkojnë nga 2-8 vjet burg. “Ndërtimi apo punimi i kryer pa leje, në shkelje të lejes, ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike, ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet”, thuhet në projektligjin e qeverisë. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve.