Gjirokastër, ku simbolet duken

GANI-ELEZI1-150x150Gani Elezi

Për gati 10 ditë rresht, nga data 10 deri në 17 maj, në Gjirokastër u zhvillua festivali Folklorik Kombëtar. Ishte një festival madhështor që fatmirësisht, duke iu larguar paragjykimeve ideologjike, po rikthehet në traditën e mrekullueshme të paraviteve ‘90-të. Ishte madhështor jo vetëm për pjesmarrjen e gjerë, ku thuhet se kanë qenë faro 7500 pjesmarrës, artistë e organizatorë, për vendin ku u zhvillua, në qytetin historik të Gjirokastrës, në sheshin e kalasë, por në mënyrë të veçantë për produktin që solli para publikut shqiptar.

Duke mos u futur në vlerat artistike, që ishin me të vërtetë të mëdha, në vështrimin tim, ky festival solli atë që politika shqiptare nuk e ka sjellë dot deri tani (nuk ka dëshirë, nuk mund apo nuk ka shanse ta sjellë), solli Shqipërinë e madhe, po them Shqipërinë etnike, meqë togfjalëshi “Shqipëri e madhe”, pa asnjë arsye, frikëson shumëkënd, nga faktori ndërkombëtar, por edhe këtu te ne.

Pjesmarrësit ishin nga të gjithë qarqet e Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e nga troje te tjera. Kishte grupe dhe artisë që vinin nga diaspora, Europa, SHBA e nga vende të tjera. Ajo që është më shpresëdhënëse për të ardhmen, mbijetesën shpirtërore të kombit tonë, edhe në kushtet e bashkëjetesës multikulturore, është fakti se të gjithë grupet, nga do që vinin, nga Shqipëria e shtete të tjera, në krye të valles kishin flamurin kuq e zi, me shkabën dykrenare, flamurin e shqiptarëve. Si thotë kënga jonë “rreth flamurit të përbashkuar’’, kështu qenë shqiptarët në këtë festival e kjo ka rëndësi të madhe për të ardhmen e tyre.

Po humbëm simbolet kemi humbur veten, kemi humbur vendin, kemi humbur kombin. E simbolet, sa duket, i ruan më shumë gjuha, kultura, kënga, vallja e veshja jonë. Ndryshe, ato nuk i ruan dot politika, nuk i ruajnë politikanët. Sa ndryshon akti i shpalosjes së flamurit kombëtar mu në sy të të gjithë opinionit publik shqiptar e atij ndërkombëtar me aktin e fshehjes së simboleve kombëtare, si thuhet bëri presidenca shqiptare, me rastin e vizitës së presidentit turk, Erdogan, në Tiranë.

Loja u hoq apo nuk u hoq busti i Skenderbeut tani nuk ka vlerë. Vetë diskutimi tregon se diçka ka ndodhur. Skënderbeu duhet të jetë atje ku e kërkon protokolli shtetëror e kombëtar. Bashkë me flamurin, Skënderbeu është pasaporta e kombit tonë e ne nuk mund ta grisim këtë pasaportë sa herë na e duan interesat politike të çastit. Skënderbeun ne nuk guxojmë ta përdorin si inventar të dekorimit të zyrave e të mjediseve të shtetit sipas pëlqimeve të ‘’miqve’’ që na vijnë. Këtë gjë nuk e ka bërë vetëm Nis- hani. E kanë bërë edhe të tjerë para tij. Sido të jetë secili duhet të marrë barrën e turpit që i takon. Le të mësojnë edhe nga aktivitete si festivali folklorik i Gjirokastrës./Shekulli