Kriza e refugjatëve sirianë, në Gjirokastër do të ndërtohen kampe masive

klandestinet-ne-Gjirokaster-3Kur dëbora të mbulojë linjën kufitare Greqi-Maqedoni, flukset e emigrantëve sirianë pritet të shkarkohen në Gjirokastër. Për këtë shkak, Policia e Shtetit dhe pushteti vendor po përgatiten për të strehuar 5 mijë refugjatë në ndërtesa shtetërore, kampe apo kontejnerë. E gjithë infrastruktura mikpritëse do të instalohet në zonat e Gjirokastrës dhe kapaciteti maksimal i Shqipërisë është 5 mijë persona.

Momentalisht nuk ka të dhëna për mbërritjen e refugjatëve në vendin tonë, pasi vijon mësymja drejt Maqedonisë, për të kaluar përmes Kroacisë, por me uljen e temperaturave, kur ajo linjë të vështirësohet së tepërmi sirianët pritet t’i drejtohen Gjirokastrës.

Të dhënat i bën të ditur për gazetën “Shqip” drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kufitare, Genc Merepenza, i cili konfirmoi se gjithçka po organizohet në kuadër të përgatitjes, në mënyrë që pala shqiptare të mos kapet në befasi nëse na prek vala e emigrantëve.

Nga ana tjetër, ndonëse shifra prej 75 mijë klandestinësh është mohuar nga autoritetet shtetërore, nga dhjetori i këtij viti e deri në fundshkurt të 2016-s, pritet që në Shqipëri të strehohet përkohësisht një numër i madh emigrantësh.

Gjithnjë do të synohet strehimi momental, ushqyerja dhe veshmbathja dhe pas identifikimit do të ndihmohen për të kaluar në shtetet e BE-së, ku ata e kanë destinacionin. Gjirokastra pritet të shndërrohet në një vend me kampe masive, të përbëra nga çadra apo kontejnerë, ku do të strehohen refugjatët