Astrit Aliaj drejton gishtin e fajtorit te Flamur Bime: Në Gjirokastër është bërë masakër urbane…

Një ditë më parë prefekti Astrit Aliaj thirri një tjetër mbledhje me drejtues të institucioneve në Gjirokastër. Ndonëse ishte një mbledhje që nuk dalloi shumë nga seria e mbledhjeve që janë zhvilluar gjithë këto kohë, ku të gjithë bien dakord me njëri-tjetrin dhe zotohen që duhen marrë masat, ajo arriti të prodhonte një lajm tjetër. Për emergjencën që kalon sot Gjirokastra, Astrit Aliaj drejtoi gishtin e fajtorit nga paraardhësi i tij në Prefekturë, Flamur Bime.

Ndonëse nuk e përmendi nominalisht me emër, nënteksti i deklaratave që ai bëri, shigjetonin ish-kryebashkiakun Flamur Bime. Prefekti Aliaj foli për masakër urbane në Gjirokastër gjatë viteve të tranzicionit. Sipas tij ndërtimet pa kriter janë shkaktarët e emergjencës që po kalon sot qyteti i gurtë. Ai madje shkoi edhe më tej kur tha se ishte skandalizuar kur kishte parë disa foto të hershme të Gjirokastrës me kodra plot pemë, të cilat u prenë për të ndërtuar pallate. Ky është një shfrytëzim barbar tha Aliaj dhe sigurisht ka të drejtë, por nuk është se tregon diçka të re për gjirokastritët.

Arkitekti i masakrës urbane për të cilën flet prefekti, është natyrisht Flamur Bime. Në qeverisjen e tij 12-vjeçare si kryebashkiak, Gjirokastra u mbush me pallate vend e pavend, duke mos pyetur fare për kondicionet gjeologjike të tokës dhe as parametrave të urbanistikës. Simbol i fortë i kësaj është lagjja ‘Kodra e Shtufit’. Bumi i ndërtimeve në Gjirokastër përkon me qeverisjen e Flamur Bimes. Shumë pallate janë ndërtuar edhe duke shkelur lejen e ndërtimit. Njësoj si pallati që rrezikon shembjen, ku nga 6 kate që e kishte lejen, është ndërtuar me 8. Nga ana tjetër, banorët s’e kanë ende hipotekën. Kanë apartamente për të cilat nuk janë ligjërisht pronarë të tyre. Ndaj masakra urbane për të cilën flet prefekti Astrit Aliaj i faturohet Flamur Bimes. Natyrisht që deklaratat e tij në atë mbledhje, kanë vënë jo pak në siklet nënkryetarin Vangjel Muço, i cili ka qenë për vite me radhë bashkëpunëtor i Flamur Bimes dhe dëshmitar i gjithë ndërtimeve që janë bërë gjatë tre mandateve kur ai drejtoi Bashkinë Gjirokastër.

© ArgjiroLajm.net