Gjirokastër, PD kërkon Këshillin e Qarkut për Dasho Alikon, PS i numëron shkeljet në mbledhjen e djeshme

Tre këshilltarë të PS-së në Këshillin Bashkiak Gjirokastër, Shkëlqim Guce, Arman Hila dhe Petrit Brahimi, kanë dalë me një deklaratë për mediat, ku kanë treguar shkeljet e bëra një ditë më parë në mbledhjen e këshillit, mbledhje në të cilën grupimi PD-LSI shkarkoi sekretarin e këshillit, si dhe tentoi të shkarkonte dy këshilltarë të tjerë. Sikundër ArgjiroLajm.net ka raportuar një ditë më parë, ‘lufta’ bëhet për të marrë shumicën në Këshillin e Qarkut, në mënyrë që më pas të zgjedhin aty Dasho Alikon, ish-kryetarin e Komunës Lazarat. Më poshtë deklarata e plotë e këshilltarëve të PS-së:

Ditë e djeshme më datë 24.05.2018 ashtu sikurse ishte njoftuar u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Gjirokastër me rendin e ditës dorëzuar këshilltarëve. Jashtë rendit të ditës sapo filloi mbledhja me iniciativën e Kryetares së Këshillit Bashkiak zj. Mimoza Como u hodh në votim një kërkesë e një grupi këshilltarësh për shkarkimin e Sekretarit të Këshillit z. Seni Golemi dhe zëvendësimin e tij me z. Spartak Drasa. Gjithashtu jashtë rendit të ditës u hodh në votim po me iniciativën e kryetares zëvendësimi i dy përfaqësuesve të Këshillit të Bashkisë Gjirokastër për në Këshillin e Qarkut z. Armand Hilaj dhe z. Shkëqim Guce me z. Dashnor Aliko dhe Beqir Gjika. Kërkesat nuk ishin shoqëruar me relacion shpjegues dhe me projekt – vendim. Kërkesat nuk ishin shqyrtuar paraprakisht në komisionin e ligjeve dhe të mandateve.

Gjatë momentit që u hodh për votim cështja e zëvendësimit të dy përfaqësuesve të Këshillit të Bashkisë Gjirokastër në Këshillin e Qarkut, ishin 27 këshilltarë dhe votuan “pro” vetëm 14 prej tyre. Shumica e nevojshme për të arritur një vendimarrje të tillë është 16 këshilltarë ose bazuar në nenin 55/3 të ligjit nr. 139/2015 “Për veteqeverisjen vendore” 50%+1 e të gjithë anëtarëve të këshillit.

Shkelja e ligjit dhe e rregullores këshillit vërtetohet nga regjistrimet filmike ku krahas këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe dy prej këshilltarëve të LSI-së u shprehen se nuk ishin dakord me propozimin e bërë, fakt që do të thotë se për miratimin e këtij propozimi jo vetëm nuk është respektuar procedura e nevojshme për të propozuar cështje të kësaj rëndësie por edhe mënyra e votimit.

Për sa më lart e quajmë të pavlefshme procedurën e ndjekur dhe tërheqim vëmendjen për mospërsëritjen e skenarëve të tillë që shpërdorojnë kompetencat që na jep ligji dhe besimin e dhënë me votë, duke ngatërruar këtë këshill të nderuar me axhendat politike.