Kryqi i Kuq Shqiptar, fond prej 350 mijë dollarësh për zonat e përmbytura

permbytje11Kryqi i Kuq Shqiptar është duke alokuar fondin e dytë për zonat e përmbytura në jug. Shuma prej 350 mijë dollarësh do tu vijë në ndihmë familjeve të prekura kryesisht në pako me ushqime dhe veshmbathje. Donacioni është pjesë e fondit të alokuar nga Shoqata e Gjysmë Hënës së Kuqe të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Një fond prej 350 mije dollarësh do tu alokohet familjeve të prekura nga përmbytjet në jug të vendit. Kjo shumë do të shpërndahet në formën e pakove standarte për një familje, e cila do të përmbajë 50 kg ushqime, 5 batanije dhe 1 pako kit higjenik dhe nga të cilat 200 mijë $ do të shkojnë për ushqime e pjesa tjetër për veshje.

Ky donacion vjen nga Shoqata e Gjysmë Hënës së Kuqe të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila i është përgjigjur pozitivisht apelit të bërë nga Kryqi i Kuq Shqiptar, përfaqësuesit e të cilës u shprehën se do ishin krah Shqipërisë në faza të tjera.

Përfaqësuesja e Shoqatës së Gjysmë Hënës së Kuqe të Emirateve të Bashkuara:”Jemi të lumtur që kemi bashkëpunuar me Kryqin e Kuq Shqiptar për përballimin e fazës së parë dhe që ishte më emergjente në situatën e përmbytjeve në jug të vendit. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në faza të tjera”.

Me pjesën e dytë të ndihmave, shumë që Kryqi i Kuq vuri në dispozicion të zonave të përmbytura kap vlerën e 700 mijë dollarëve.