A janë këto dokumentet e Arkivit të Gjirokastrës?

Kreu i PD Gjirokastër i është rikthyer sërish çështjes së arkivit. Ai ka publikuar një foto që pretendon se tregon dokumentet arkivore të Gjirokastrës pas zhvendosjes drejt vendruajtjes së re. “Shikojeni reformën tuaj ju plaçin sytë”, e nis reagimin e tij Bejko. Sipas tij, këto pamje horror tregojnë pasojat e reformës absurde të qeverisë.
“Aty në ato dosje të hedhura për tokë janë hartat e pronave tuaja, janë dokumentat familjare, personale, materiale të karakterit historik e kombëtar. Aty për tokë është hedhur idenditeti i secilit prej nesh. Është hedhur dhe përdhosur vet historia, gjaku dhe kontributi i gjyshstërgjyshërve dhe prindërve tanë. Këto dokumenta arkivorë u hoqën nga raftet dhe u larguan nga një godinë që ishte projektuar enkas për arkivë, dhe u degdisën rifuxho si fletë bakalli në depot e Lushnjës e të Durrësit. Ky është krim”, shkruan Bejko.  Më tej ai shton se PD do ta shtrojë edhe në Këshillin Bashkiak këtë çështje dhe do të kërkojë rikthimin në Gjirokastër të arkivit.