Adil Xhelili: Ju që besuat tek unë, nga sot e tutje keni një derë të hapur e një mik më shumë!
Nga Adil Xhelili
Miqtë e mi, pranoni pak fjalë zemre! Më lejoni të falënderoj secilin prej jush, që besoi tek unë dhe më mbështeti pa kushte në garën e pabarabartë të 14 majit. Ju dhe familjet Tuaja, jeni për mua vatrat e vërteta të nderit dhe respektit dhe përulem para jush me mirënjohjen më të thellë. Një falënderim të veçantë kam për Libohovën time që i tregoi vendin me përçmim thikës pas shpine dhe përçarjes që u mboll i uli kokën poshtë. Që kur mendja djallëzore dhe interesi i verbër u vendos para meje, e dija shumë mirë që nuk do e kisha të lehtë, por besova tek e vërteta, tek shenjtëria e fjalës së dhënë dhe eca i papërkulur për të qenë i vërtetë dhe dinjitoz.
Unë dhe bashkëpuntorët e mi u përballëm jo me një garë reale mes kandidatësh, por me makinerinë e pushtetit e të krimit që derdhi para e përdori pushtetin për të blerë e intimiduar votuesit. Por, ecëm të papërkulur! Besuam tek vlerat, tek programet, prekëm varfërinë e pamë realitetin në sy. Kjo garë nuk ishte vetëm e imja, ishte e gjithë atyre burrave dhe grave që nuk ishin dakort me mashtrimin, përbuzjen, arrogancën dhe që për 10 vite u detyruan të iknin nga ky vend. Po a ka vlerë të luftosh, të flasësh e pastaj të shitesh?! Jo, kurrë!
Ndaj burra e gra, bashkëqytetarë e bashkëfshatarë,detyrimi me bukën e gojës e paraja e pistë kurrë nuk mund të jenë zgjidhja e halleve tona, zonës mbarë i duhej përkushtim e zhvillim, vizion e ide. Kush nuk e kupton kështu, mbetet në të njëjtin batak që soji i këtyre që na qeverisin dhe sorollopi i atyre që u servilosen duan të na mbajnë. Unë përfundova një “kontratë” me qytetarët, përballja me të është sfida më e fortë për këdo, ndihem krenar për këdo që më mbeshteti dhe u them të mos përkulen.
Unë do të jem një prej jush, i papërkulur,as i shitur e as i blerë, e zgjodha vetë rrugën time që 18 vjeç, nuk iu bëra barrë njeriu dhe as i zura rrugën njeriu, iu bëra krah kujtdo dhe m’u bënë krah shumë e më shumë. Në rrugën që eca më ndihmuan shumë familjarë e miq, po kurrë nuk i vura në pozitë, u përpoqa t’i bëja krenarë dhe t’i respektoja sa më shumë.
Asnjëherë nuk vura politikën para familjes dhe jam krenar për vendimet që kam marë në jetë. Dhe kështu ua sugjeroj kujtdo, të jenë dinjitozë, të duan veten e të tjerët me çmimin e pakthyeshëm të dashurisë e jo të interesit. FALEMINDERIT dhe një herë të gjithëve JU që besuat tek unë, nga sot e tutje keni një derë të hapur e një mik më shumë!